850 mijë euro për asfaltim, Komuna e Leposaviqit anashkalon garën përmes një procedure të dyshimtë

Komuna e Leposaviqit, e udhëhequr nga kryetari Lulzim Hetemi, ka realizuar dy kontrata për asfaltim në një vlerë totale prej rreth 850 mijë eurosh, duke përdorur procedurën e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, një praktikë që është e lejuar nga Ligji për Prokurimin Publik vetëm në raste të jashtëzakonshme, dhe për punët shtesë, gjë që nuk vlen për këtë rast konkret.
Njëra nga kontratat, me titull “Asfaltimi i rrugës Bistricë – Koshutovë”, është lidhur në vlerë prej 709,510.40 euro. Negociatat janë zhvilluar me tre operatorë dhe kontrata është fituar nga Granit SH.P.K.
Kontrata tjetër, me titull “Ndërtimi i rrugëve në fshatrat rr. Vojska Jugosllavia”, është lidhur në vlerë prej 146,567.40 euro, pas negociatave me katër operatorë ekonomikë. Fitues është shpallur Grupi i Operatorëve Ekonomik: PLUS TRADE L.L.C.; N.T.SH. AR-DRITI; Company Murseli SH.P.K.
Dhënia e këtyre dy tenderëve është publikuar sot më 9 Maj në E-prokurim, kur institucionet publike janë në pushim.
Ligji për Prokurimin Publik (LPP) është i qartë kur përcakton rregullat dhe kufizimet për përdorimin e procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë. Sipas nenit 35, paragrafi 2.4 të LPP-së, përdorimi i kësaj procedure është i mundur vetëm për punë shtesë që nuk kalojnë më shumë se 10% të vlerës së kontratës fillestare dhe vetëm brenda dy (2) viteve nga nënshkrimi i kontratës origjinale. Kjo procedurë mund të përdoret gjithashtu në rastet e emergjencave ekstreme, sipas nenit 35.2.1.iii, por jo për kontrata të reja dhe për vlera të konsiderueshme.
Në rastin e kontratës për asfaltimin e rrugës Bistricë – Koshutovë, nuk mund të ketë asnjë arsye ligjore që të justifikojë përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim.
Ligji gjithashtu përcakton se procedurat e negociuara pa publikim mund të përdoren vetëm në rastet e emergjencave që janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues, dhe që nuk janë të planifikuara ose të parashikuara më herët. Përdorimi i kësaj procedure në këtë rast nuk ka asnjë bazë ligjore, sepse nuk ka asnjë situatë emergjente që justifikon këtë veprim.
Procedura e negociuar pa publikim e shkel konkurrencën, cenon transparencën dhe hap mundësi për favorizime të mundshme të operatorëve të caktuar ekonomikë. Sipas nenit 2 të LPP-së, çdo procedurë prokurimi duhet të sigurojë një konkurrencë të drejtë dhe të barabartë, dhe përputhshmëri me parimet e transparencës dhe llogaridhënies. Duke anashkaluar këtë procedurë, Komuna e Leposaviqit ka cenuar këto parime dhe ka krijuar mundësi që operatorët e caktuar të përfitojnë në mënyrë të padrejtë.
Për më tepër, neni 34.1 i LPP-së kërkon që autoritetet kontraktuese të sigurojnë përfshirje të plotë të të gjitha palëve të interesuara dhe të sigurojnë që procesi i prokurimit të jetë i hapur, i qartë dhe i ndershëm. Duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim, Komuna e Leposaviqit ka shkelur këto parime themelore të Ligjit për Prokurimin Publik, duke mos ofruar mundësi për pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë ekonomikë.