Lajme

Ministri Damka i arrestuar për kërcënim e sulm i shpëton paraburgimit, kjo është masa që ia caktoi gjykata

Gjykata Themelore në Prizren ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe nipit të tij, të dyshuar për kanosje dhe sulm, me ç’rast ka marrë aktvendim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Masa e arrestit shtëpiak është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2025 dhe mund të zgjasë deri më datën 09.03.2025.

“Të pandehurit nuk guxojnë që të largohen nga vendbanimi pa lejen e Gjykatës, si dhe iu ndalohet të kontaktojnë me personat me të cilët ata nuk jetojnë apo nuk janë të varur nga të pandehurit.

Nëse të pandehurit e shkelin masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit.

Kjo masë do të mbikëqyret nga Stacioni Policor në Prizren, të cilët edhe pa kërkesë të Gjykatës në çdo kohë mund të verifikojnë zbatimin e masës së arrestit shtëpiak dhe të njoftojnë Gjykatën për çdo cenim të mundshëm të masës.

Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtje së seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë dhe dëgjimit të pohimeve të palëve, dhe në bazë të provave në shkresat e lëndës, ka gjetur se kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e paraburgimit është e pabazuar, dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Fillimisht Gjykata nga shkresat e lëndës ka vërtetuar se rrjedhë dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, në këtë drejtim është vlerësuar se edhe me masën e arrestit shtëpiak, do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohet normalisht dhe pa pengesa procedura penale, përkatësisht procedura hetimore ndaj të pandehurve.” thuhet në njoftimin e gjykatës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button