Përfundon takimi SHBA-Rusi në Riad, Moska e konsideron konstruktiv

Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se takimi i delegacionit amerikan me atë rus në Riad të Arabisë Saudite, ka përfunduar pas mbi katër orësh.
Yuri Ushakov, këshilltari për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i sukseshëm.
Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, sipas agjencive shtetërore të lajmeve në Rusi.
Ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin.
Pala amerikane – që përbëhej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff – ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Pala ruse – e përbërë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin – ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.