E konfirmon KESCO: Bizneset e mëdha detyrohen të dalin në treg të hapur të energjisë nga qershori 2025

Kompania KESCO ka konfirmuar se nga 1 qershori 2025, të gjithë konsumatorët komercialë që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro do të dalin në tregun e hapur të energjisë dhe do të jenë të obliguar të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre. Ky vendim vjen me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe është pjesë e procesit të liberalizimit të tregut energjetik në Kosovë, shkruan Demokracia.com.
Sipas njoftimit të KESCO, duke filluar nga 6 marsi 2025, konsumatorët komercialë do të marrin një shkresë nga kompania, përmes së cilës duhet të dëshmojnë nëse vazhdojnë të jenë të kualifikuar për furnizim me tarifa të rregulluara. Kjo dëshmi përfshin:
- Numrin e punëtorëve (jo më shumë se 50)
- Qarkullimin vjetor (jo më shumë se 10 milionë euro)
Nëse nuk arrijnë të paraqesin dokumentacionin e kërkuar brenda 15 ditësh, ata automatikisht do të konsiderohen si konsumatorë të tregut të hapur, që do të thotë se do të furnizohen me çmime të parregulluara dhe do të jenë të detyruar të zgjedhin një furnizues të energjisë. Dokumentet duhet të sigurohen nga institucionet relevante të Kosovës, si Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), dhe të dorëzohen përmes emailit [email protected] ose në qendrat e shërbimit të KESCO.
KESCO ka sqaruar se ky vendim nuk vlen vetëm për kompanitë mëmë, por edhe për të gjitha njësitë, degët apo filialet e tyre. Nëse kompania mëmë tejkalon kriteret e përcaktuara, të gjitha njësitë e saj do të trajtohen si pjesë e tërësisë dhe do të kalojnë në treg të hapur.
Ky është hapi i dytë i liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, pas liberalizimit të konsumatorëve të kyçur në nivelin 110 kV. KESCO thekson se shumica e vendeve të rajonit tashmë kanë kaluar në këtë fazë dhe se ky proces është i pashmangshëm për harmonizimin e Kosovës me praktikat rajonale dhe evropiane.
Ky zhvillim vjen menjëherë pas kërkesës së KEDS/KESCO për rritjen e të hyrave të lejuara, një kërkesë që mund të çojë në rritje të faturave të energjisë elektrike në Kosovë.
Demokracia.com ka raportuar sot se ketë vendim e ka marr ZRRE, pas aplikimit të KESCO për shtrenjtim të rrymës