“Ju jeni krim…” | Presidentja s’e zbaton Kushtetutën, nuk i shkarkon anëtarët e VV-së në KQZ, Krasniqin e Kurteshin që akuzojnë kolegët dhe ndërhyjnë në numërimin e votave

“Presidenti i Republikës së Kosovës: garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”.
Kështu thuhet në nenin 84, paragrafin 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku listohen kompetencat e Presidentit të Kosovës.
Por, këtë detyrim kushtetues vazhdon të mos e lexojë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani po vazhdon t’i mbyllë sytë përballë degradimit të mbledhjeve në institucionin e përcaktuar me Kushtetutë, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
DEGRADIMI I MBLEDHJEE TË KQZ-së
Mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë shndërruar në një arenë që më së paku i ngjan një institucioni normal.
Jonormaliteti në KQZ është i diktuar nga sjellja paprecedentë e Alban Krasniqit dhe Sami Kurteshit, që përfaqësojnë në këtë institucion partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Është e pamundur që ndonjë mbledhje të zhvillohet në kushte normale, pikërisht për shkak të sjelljeve dhe akuzave që Krasniqi dhe Kurteshi janë të gatshëm të bëjnë në çdo moment, për kolegët e tyre anëtarë të KQZ-së, por edhe për mediat, OJQ-të e kështu me radhë.
Edhe mbledhja e fundit e KQZ-së, e datës 6 mars 2025, ishte një mbledhje aspak normale.
Krasniqi dhe Kurteshi, nuk kursyen askënd në akuzat dhe ofendimet e tyre.
Krasniqi, i cili njihet gjerësisht në opinionin publik si burri i ministres, Albulena Haxhiu, ka eskaluar në këtë mbledhje, duke iu thënë kolegëe anëtarë nga opozita se janë krimi dhe duhet të marrin syze për t’i shikuar fletëvotimet.
“Merrni edhe syza nëse ju duhen, ju jeni krim. Po e mbroni një padrejtësi”, tha ai, duke akuzuar kolegët e tij që nuk mbështetën propozimin pa vendim të institucioneve përgjegjëse për të rinumëruar fletëvotimet e pavlefshme.
Edhe bashkëpartiaku i Krasniqit, Sami Kurteshi, vazhdoi gjuhën e njejtë të kolegut të tij, duke sulmuar mediat dhe OJQ-të.
Kurteshi, konfirmoi edhe personalisht se është “përzier” gjatë numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Unë jam një prej atyre që kam qenë aktiv në QNR edhe po e kam dhënë mendimin tim pikërisht në lidhje me këto fletëvotime. Natyrisht që përputhet gjuha e disa OJQ’ve që janë paterica të partive politike dhe disa mediave, po ndërhyn në proces. Ngritja e një cështje nuk është ndërhyrje në proces, është e drejtë e shprehjes së lirë dhe e reagimit sa herë mu ma merr mendja me reagu në raste kur unë mendoj ndryshe”, deklaroi Kurteshi.
Jo vetëm në mbledhjen e KQZ-së, por Krasniqi dhe Kurteshi janë shfaqur edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezutlateve duke ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme në punën e pavarur të ekipeve të numërimit dhe duke iu bërë presion për të llogaritur të vlefshme edhe fletëvotimet që ishin gjysmë të printuara.