“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhje”, Kurti: Rashiq u kërcënua vazhdimisht nga Radoiçiqi me mesazhe

Kryeministri I vendit, Albin Kurti ka thënë se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është ndërhyrje në sovranitet dhe demokraci të vendit.
Në konferencën për medie bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, Kurti ka thënë se vetë Rashiqi “është kërcënuar vazhdimisht nga Milan Radoiçiqi dhe njerëzit e tij me anë të mesazheve”.
“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është një cënim që i bëhet demokracisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ka ndikuar në zgjedhjen e deputetëve serbë she të pakicave joserbë dhe që janë në kontrollin e plotë të Aleksandër Vuçiqit, Qeverisë dhe Intelegjencës, e të krimit të organizuar atje. Serbia orvatej që vendin tonë ta mbajë peng jo vetëm në zhvillimin e brendshëm politik por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, ndërhyrjet kanë ndryshuar për shkak të ndryshimit të sigurisë në katër komunat veriore, si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit. Si dhe luftimit të sukseshëm të grupeve kriminale dhe terroriste dhe mbylljen e strukturave ilegale. Ndikimi brutal, fizik përfshirë edhe rrahjet e vrasjet nuk ka qenë i mundur. Si zëvëndësim, janë rritur format tjera të kërcënimeve hibride kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhi, frikësimi e kërcënimet por edhe sulmet kibernetike. Vetë Vuçiqi, ka inkurajuar çdo aktorë shtetërore e joshtetëror serbë të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim, rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi, Millan Radoiçiç, i cili ka marrë detyrat ekzekutive për Kosovën nga Vuçiqi. Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për dëmtimin e subjekteve serbe, veqënarisht për subjekte si Partia për Liri dhe Mbijetesë, të Nenad Rashiqit dhe Demokracia Serbe të Aleksandër Arsenojiviçit dhe votuesit e subjekteve të tjera kryesisht rome dhe ashkalinje”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se Serbia është angazhuar sidomos për ta dëmtuar subjektin politik të udhëhequr nga Nenad Rashiq, si dhe nga Aleksandar Arsenijeviq.
Ai ka thënë se joshja financiare është bërë me anë të ndarjes së 20 mijë dinarëve për të gjithë të papunët.
Sipas Kurtit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, e ka autorizuar kryeterroristin Milan Radoiçiq, për ta zbaruar planin për ndërhyrje në Kosovë.
“Presidenti i Serbisë e ka autorizuar kryeterroristin Radoiçiq për ta zbatuar planin për ndërhyrje në Kosovë. Janë kërcënuar përmes Ivan Zaporozhac që do të kenë pasoja nëse nuk e votojnë Listën Serbe”, ka thënë ai.
“Janë identifikuar shtatë instanca si vijon: 1. Aleksandër Vuçiqi 2. Millan Radoiçiq 3. Petar Petkoviç 4. BIA Serbe 5. Mediat serbe të kontrolluara nga pushteti 6. Lista Serbe 7. Struktura ilegale duke përfshirë Bankat Postare Kursimore, Qendrat Sociale, ish pjesëtarë të PK-së.”, deklaroi Kurti.