Lajme

“15% rritje të çmimit të rrymës” – Qytetarët nuk përjashtojnë protestat, njohësit e konsiderojnë dështim të qeverisë e goditje për familjet

Rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë elektrike ka krijuar shqetësim te qytetarët e Kosovës.

Kjo rritje shihet si e papërballueshme nga ekonomitë familjare të Kosovës të cilat janë goditur edhe paraprakisht nga rritjet e çmimit të rrymës elektrike, por jo vetëm. Këto rritje në tregun e Kosovës kanë krijuar inflacion ekonomik dhe uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve të vendit.

Ky shqetësim i qytetarëve është reflektuar edhe me një iniciativë të nisur nga disa qytetarë në rrjetet sociale.

Tashmë është krijuar një grup në të cilin janë mbledhur qytetarë që duan të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me një vendim të tillë.

Grupi i quajtur “Jo Rritjes së Çmimit të Energjisë Elektrike në Kosovë! #AsnjeCentMeShume” deri tani ka mbledhur rreth mijëra qytetarë vetëm pak ditë pas krijimit të tij.

Luan Hasanaj iniciator dhe bashkëthemelues i këtij grupi u shpreh se interesimi i qytetarëve për t’iu bashkuar kësaj iniciative është i lartë.

“Po shihet një interesim i madh i njerëzve për t’iu bashkuar grupit. Për pak ditë grupi që e kemi krijuar në Facebook i ka kaluar 1 mijë persona. Shumica e tyre interesohen që të japin kontributin e tyre për ta rritur këtë fushatë. Si fazë të parë do të provojmë të ndikojmë përmes kësaj forme që të mos e aprovojë vendimin e paralajmëruar. Ne do të vazhdojmë në këtë formë, do të provojmë të bisedojmë me ZRRE do të provojmë të bëjmë forma të debateve duke i ftuar ata dhe akterët tjerë të shoqërisë. Nëse këto nuk kanë ndikim po mendojmë që të organizojmë protesta për të shprehur pakënaqësitë e tyre për këtë vendim”, tha ai.

Në anën tjetër ish anëtari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala akuzoi Qeverinë e Kosovës për krijimin e kësaj situate aspak të favorshme energjetike sipas tij.

“Tashmë ZRRE ka dal me paralajmërim që çmimet e energjisë të rriten me 15%, edhe pse nuk është vendim final, kemi paralajmëruar më herët që Qeveria e Kosovës na ka sjellur para një situate që dojnë ta ngrisin për herë të tretë çmimin brenda një periudhe 4 vjeçare. Ky çmim do të ndikojë negativisht në jetën e qytetarëve të Kosovës. Kjo rritje vjen si rezultat i jo-planifikimit të mirë nga vitet paraprake dhe tashmë jemi duke u përballur me këtë rritje të lartë që do të reflektojë në zingjirin e furnizimit të mallrave dhe në gjendjen e përgjithshme ekonomike të vendit”, tha fillimisht Shala.

Tutje ai shtoi një tjetër shqetësim duke potencuar nxjerrjen në tregun e lirë energjetik të ndërmarrjeve biznesore.

“Tashmë kemi edhe një hap tjetër shumë ekstrem, të nxjerrjes në tregun e lirë të ndërmarrjeve. Situata nuk është e mirë edhe për këtë kategori sepse ata do t’i nënshtrohen një procesi jo mirë të përgatitur. ZRRE, Qeveria nuk kanë bërë asnjë përgatitje paraprake që Kosova t’i ketë kushtet për liberalizim të tregut të energjisë. Nuk ka bërë asgjë në integrimin e tregut ndërkombëtar në sektorin energjetik, nuk ka bërë asgjë në rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore. Dëmi më i madh është se ne si shtet si shoqëri dhe si ekonomi do të obligohemi që të rrisim për 15% ndoshta më shumë shkallën e importit të energjisë e kjo do të reflektojë në dyfishimin e çmimeve për ata që do të dalin në treg të lirë, e kryesisht do të furnizohemi nga kompanitë jo vendore. Qeveria ka krijuar ambient jo miqësor me këta që po i nxjerr jashtë, sepse këta do të obligohen që të furnizohen nga kompani dhe prodhues jashtë vendit”, përfundoi Shala.

Edhe njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri për lajmi.net tha se një rritje e tillë do të ishte një barrë shumë e rëndë për ekonomitë familjare të Kosovës.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike me 15% është një goditje e rëndë për ekonomitë familjare dhe bizneset në Kosovë. Qeveria ka dështuar të mbrojë interesin e qytetarëve, duke heshtur karshi një kërkese për rritje të energjisë e cila vjen nga ZRRE-ja”, tha fillimisht ai.

Muhaxheri thotë se kjo kërkesë është e paarsyeshme duke potencuar faktin se bursat ndërkombëtare të energjisë janë duke shënuar rënie.

“Kjo kërkesë për rritje vjen pikërisht në kohën kur çmimet në bursat ndërkombëtare të energjisë janë në rënie. Në vend që të sigurojë një politikë të qëndrueshme energjetike dhe të ulë barrën mbi qytetarët, qeverisë nuk po i bëhet vonë që rritja e çmimit të energjisë përkeqëson gjendjen ekonomike të familjeve dhe rrisin pasigurinë financiare. Ky është një tjetër tregues i paaftësisë së saj për të menaxhuar sektorët kyç të ekonomisë dhe për të garantuar një jetë më të përballueshme për qytetarët”, shtoi ai.

Tutje ai thotë se kjo situatë nuk duhet të kalojë pa reagim të qytetarëve.

“Nga një perspektivë ekonomike, një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të ketë efekte negative të shumëfishta. Së pari, do të reduktojë fuqinë blerëse të qytetarëve, duke ulur konsumin dhe duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike. Së dyti, do të rrisë kostot e operimit për bizneset, duke ulur konkurrencën dhe duke dekurajuar investimet. Për më tepër, kjo situatë reflekton mungesën e një strategjie afatgjatë për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e kapaciteteve vendore, që do të garantonin një sistem më stabil dhe të përballueshëm për qytetarët. Konsideroj se kjo situatë nuk guxon të kaloj në heshtje as nga ana e qytetarëve të cilët duhet te protestojnë për ta penguar një gjë të tillë”, përfundoi Muhaxheri për lajmi.net.

Kujtojmë se kjo nuk do ishte hera e parë që do rritej çmimi i energjisë elektrike. Në vitet e fundit çmimi i rrymës elektrike është rritur me 130%, duke shkaktuar rritjen zingjir të produkteve ushqimore dhe duke rënduar barrën e qytetarëve për shpenzimet e shportës familjare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button