Lajme

Rama dorëzon kallëzim penaI ndaj inspektoratit për Trashëgëmi kulturore: Qeveria po na pengon

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal ndaj Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, duke e akuzuar këtë institucion për bllokimin e të gjitha projekteve transformuese të planifikuara për qytetin.

Në një postim në Facebook, Rama tha se “përpjekjet për të punuar në interes të qytetarëve janë penguar nga strukturat qeveritare”, duke theksuar se ky veprim është i motivuar nga arsye politike dhe interesa të ngushta.

Ai shtoi se do të veprojnë me vendosmëri kundër atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë të ardhmen e qytetarëve të Prishtinës.

Postimi i plotë:

Të gjitha projektet transformuese që kemi filluar në kryeqytet, janë bllokuar dhe ndaluar nga autoritetet e qeverisë qendrore. Të gjitha projektet madhore, pa asnjë përjashtim!

Gjatë mandatit tonë qeverisës, kemi kërkuar vazhdimisht mundësi bashkëpunimi për të punuar në interes të qytetarëve të Prishtinës. Megjithatë, përpjekjet tona, në vazhdimësi janë penguar nga strukturat qeveritare, të cilat për arsye politike dhe interesa të ngushta kanë bllokuar realizimin e projekteve jetike për qytetin, madje duke shkelur ligjin!

Të ndodhur në këtë situatë, jemi detyruar të ndërmarrim hapa ligjor të nevojshëm!

Ekipa ligjore e Komunës së Prishtinës ka nisur procedura ndaj atyre që kanë kontribuar në bllokimin e projekteve! Kemi iniciuar kallëzim penal ndaj Inspektorit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, për veprime në kundërshim me ligjin dhe interesin publik!

Do të veprojmë me të njëjtën rrugë dhe vendosmëri ndaj çdo personi që guxon të shkelë ligjin dhe të cënojë të ardhmen e qytetarëve të Prishtinës! Qytetarët tanë meritojnë një qytet të zhvilluar, dhe ne do të luftojmë me çdo mjet që kemi në dispozicion për t’i siguruar atyre këtë të ardhme!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button