Këta janë personat që ua shtrenjtuan ua shtrenjtuan faturën e rrymës për 16 për qind

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), një prej institucioneve më me ndikim në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës, ka miratuar të premten kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale, duke vulosur kështu rritjen e çmimit të energjisë elektrike për afro 16 për qind. Kjo do të thotë faturë më të lartë për secilin konsumator, nga familjet me të ardhura minimale deri te bizneset që tashmë përballen me sfida të mëdha ekonomike
Rritja është konfirmuar edhe nga vetë ZRRE-ja, e cila përmes një komunikate për media pas mbledhjes së Bordit njoftoi për miratimin e kërkesave financiare të tre operatorëve: KOSTT-it, KEDS-it dhe KESCO-s.
Në dokumentin e publikuar nga ZRRE, thuhet se:
-
KOSTT kishte kërkuar të hyra maksimale në vlerë prej 101.878 milionë euro, por ZRRE i ka aprovuar 88.198 milionë euro.
-
KEDS kishte kërkuar 214.45 milionë euro, ndërsa janë aprovuar 180.653 milionë euro.
-
KESCO kërkonte 447.626 milionë euro, por u aprovuan 435.626 milionë euro – ku përfshihen edhe operatorët OSSH dhe OST/OT.
Sado që ZRRE pretendon se ka bërë “shkurtime” në kërkesat fillestare të kompanive, rezultati final është një dhe i qartë: qytetari do të paguajë më shumë.
Por kush janë personat që morën këtë vendim?
ZRRE udhëhiqet nga një Bord prej pesë anëtarësh, të cilët emërohen nga Kuvendi i Kosovës me propozim të Qeverisë. Mandati i tyre është pesëvjeçar, me mundësi rinovimi edhe për një mandat tjetër. Përgjegjësia për vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në standardin e jetesës së qytetarëve bie mbi supet e tyre.
Ja kush janë ata:
-
Ymer Fejzullahu – Kryetar i Bordit. Emëruar më 02.08.2021. Ka deklaruar të hyra vjetore nga ZRRE në vlerë prej 26,400.00 euro.
-
Lutfije Dervishi – Anëtare e Bordit. Emëruar në të njëjtën datë si Fejzullahu. Ka deklaruar të hyra vjetore prej 22,871.64 euro nga ZRRE.
-
Gani Bucaj – Anëtar i Bordit, i emëruar më 02.08.2021. Sipas deklarimit të tij të pasurisë, vitin e kaluar ka marrë 21,600.00 euro nga ZRRE.
-
Arta Qorolli Isufi – Anëtare e Bordit. Nuk ka deklaruar të hyra për vitin e kaluar.
-
Adnan Preniqi – Anëtar i Bordit, i emëruar më 13.07.2023. Ka deklaruar të hyra rreth 5,000 euro nga ZRRE.
Këta janë emrat e personave që, me një vendim të vetëm, i dhanë dritën jeshile një prej rritjeve më të ndjeshme të kostos së jetesës për qytetarët e Kosovës në vitet e fundit. Dhe ndërkohë që qytetari mesatar do të përballet me fatura më të larta mujore, anëtarët e Bordit vazhdojnë të paguhen me mijëra euro në vit nga vetë ky institucion.
Vendimet e tilla nuk mund të kalojnë pa emër e pa përgjegjësi. Sepse rryma nuk është luks, është nevojë elementare. Dhe kur bëhet më e shtrenjtë, ajo nuk i godet të pasurit që kanë sistemet e tyre alternative, por ata që mezi mbajnë dritat ndezur.