ZRRE nesër mban mbledhje, pritet të vendos për tarifat

Zyra e Rregullatorit për Energji do të mblidhet nesër në mëngjes, ku në rend dite është aprovimi i tarifave të reja të energjisë elektrike – vendim ky që prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve.
Në këtë mbledhje do të shqyrtohen edhe ankesat e konsumatorëve, por fokusi kryesor mbetet te tarifat e reja që pritet të miratohen.
ZRRE tashmë ka bërë të ditur se nga sot, çmimi i rrymës është rritur për 16 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Fillimisht ishte propozuar një shtrenjtim prej 15%, por në fund vendimi për rritje doli edhe më i lartë.
“Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale, është rreth 16%”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Aktualisht, për ata që shpenzojnë deri në 800 kWh në muaj, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat – por me këtë vendim, pritet që fatura mujore të rritet ndjeshëm.
Tarifat e reja vlejnë nga 1 prilli dhe do të jenë në fuqi deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.