Lajme

Mbrohet në heshtje i akuzuari për krime lufte, Zoran Vukotiq

Zoran Vukotiq, i akuzuar për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka shfrytëzuar të drejtën e tij të mbrohet në heshtje për akuzat që i vihen në barrë nga organi i akuzës.

Këtë deklarim Vukotiq e bëri në seancën e së martës 15.04.2025 në Gjykatën e Prishtinës.

I andehuri, Zoran Vukotiq nga Prokuroria Speciale po akuzohet për katër aktakuza për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Në seancën e datës 22.08.2024 me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Zoran Vukotiq, avokatit Nebojsha Vllajiq, ishte bërë bashkimi i procedurës penale për katër aktakuza për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë.

Paraprakisht në këtë seancë u bë administrimi i provave materiale për katër aktakuzat dhe pas kësaj i akuzuari Vukotiq kur u pyet nga gjykata rreth deklarimit të tij, i akuzuari Vukotiq deklaroi së dëshiron të shfrytëzojë të drejtën e tij ligjore që të mbrohet në heshtje.

Palët në procedurë fjalën e tyre përfundimtare për këtë çështje penale pritet ta japin në seancën e rradhës e cila është caktuar për në muajin maj 2025.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Rrahman Beqiri – kryetar, Arben Hoti dhe Violeta Namani- Hajra – anëtarë.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorj, Florije Salihu-Shamolli.

I pandehuri Zoran Vukotiq në aktakuzën e parë të Prokurorisë Speciale, të ngritur më 20.04.2017 akuzohet se mes datës 2 dhe 03.05.1999, në cilësinë e zyrtarit policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, duke vepruar në bashkëkryerje me anëtarë të forcave serbe, ka marrë pjesë në një sulm ndaj popullatës civile shqiptare që udhëtonin në një autokolonë mes fshatit Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme.

Tutje, në aktakuzë, thuhet se civilët iu nënshtruan qëllimisht vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, zhvendosjes, aplikimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit të pronës etj.

Sipas aktakuzës, në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë çnjerëzore për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi direkte ose në bashkëkryerje me të tjerët kanë qenë: E.M., Xh.M., F.(A)G., E.R., A.B., Rr.A., një 14-vjeçar i paidentifikuar, si dhe H.A., Sh.G., M.G.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të pandehurin Zoran Vukotiq e kishte shpallur fajtor për pikën III të aktakuzës, duke i shqiptuar dënim me 6 vjet e 6 muaj burgim, për krime lufte kundër popullatës civile të sanksionuara me Konventat e Gjenevës.

Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte liruar nga pika e parë që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Ndërsa për pikën e II të aktakuzës që e ngarkonte Vukotiqin që në cilësinë e policit rezervist nga Stacioni Policor në Vushtrri  ka marrë pjesë në paraburgim të paligjshëm të një numri të madh të popullatës civile shqiptare në ndërtesën e ish-Kooperativës bujqësore në Vushtrri, gjatë së cilës civilët me qëllim i janë nënshtruar trajtimit çnjerëzor, për këtë pikë të aktakuzës prokurori i çështjes ishte tërhequr nga ndjekja penale.

Gjykata e Apelit në vitin 2019 e kishte kthyer rastin në rigjykim sa i përket pikës se parë të aktakuzës, që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Tutje, kjo gjykatë për pikën III të aktakuzës, ia kishte vërtetuar dënimin e shqiptuar prej gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarit Vukotiq.

Sipas aktakuzës së dytë të Prokurorisë Speciale të datës 16.05.2017 i pandehuri Zoran Vukotiq akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në bashkëkryerje me të pandehurin Gurolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit në policinë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, si dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, pasi kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm të nacionalitetit shqiptarë nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civilë shqiptarë, të identifikuar si : E.R., H.F., A.F., dhe F.F.

Tutje, sipas pikës së dytë të aktakuzës, Zoran Vukotiq, po akuzohet se në bashkëkryerje, në mënyrë çnjerëzore ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar: S.F., F.Sh., V.Xh., Z. Xh., N.Xh., B.Xh., Z.Xh., B.P., L. R., G M., H. M., G.Sh., A.S., S.Sh., B.O., Sh.O., dhe F.M., të cilët i kanë  rrahur me grushte, shqelma dhe mjete të tjera të forta, në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar dhimbje të rënda fizike dhe mendore, pasoja të cilat i bartin edhe sot.

Tutje, sipas pikës së tretë të kësaj aktakuze i pandehuri Zoran Vukotiq po akuzohet se në bashkëkryerje me datë, kohë, në vend në cilësi të njëjtë si më lart në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së luftës në Kosovë me dashje dhe dhunshëm kanë plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra të tjera të çmueshme nga civilët shqiptarë, konkretisht nga të dëmtuarit si V.Xh., N.Xh., Z.Xh., B.O., Sh.O., B.M., A.F., H..F., dhe F.G.

Me këtë i pandehuri Vukotiq në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim lufte kundër popullatës civile.

Gjykata Themelore në Mitrovicë me datë 16.05.2018 të pandehurin Zoran Vukotiq e kishte liruar nga tri pikat e aktakuzës, sipas aktgjykimit nuk ishte dëshmuar se i njëjti kishte kryer veprat penale të cilat i viheshin në barrë.

Ndërsa Gjykata e Apelit më 2019 këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button