Lajme

Kurti kërkon drejtësi për 53 viktimat e familjes Muqolli në Poklek që u vranë mizorisht nga forcat serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot masakrën e 17 prillit 1999 në Poklek.

Aty u vranë mizorisht 53 civilë shqiptarë nga forcat serbe, mes tyre edhe pesë foshnje.

Ai tha se trupat e viktimave u dogjën tri herë për të zhdukur gjurmët e krimit, ndërsa familjarët ruajtën hirin dhe kujtimin për të dashurit e tyre.

Postimi i plotë:

Sot përkujtojmë një nga aktet më të tmerrshme të gjenocidit të Serbisë mbi civilët shqiptarë. 53 jetë të pafajshme u shuan mizorisht në shtëpinë e familjes Muqolli. Pesë prej tyre ishin foshnje.

Pas sulmeve me armë zjarri, kriminelët serbë u kthyen dhe i dogjën trupat tri herë, për të zhdukur gjurmët e këtij krimi mizor.

Familjarët mblodhën hirin e të dashurve të tyre dhe ruajtën të freskët kujtimin për ta. Tani ata prehen bashkë, në lavdinë e përjetshme.

Dëshmitë e këtij krimi gjenocidal ruhen brenda shtëpisë-muze të familjes Muqolli të Poklekut, të muzealizuar me mbështetjen institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Drejtësia ende mungon. I bëjmë thirrje për veprim, sërish e vazhdimisht, sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Dëshmimi dhe dokumentimi i krimeve është përgjegjësi dhe kontribut kombëtar. Besnikëria ndaj historisë sonë dhe insistimi në drejtësi për viktimat e krimeve janë aleatët kryesorë të së vërtetës.

Me mirënjohjen e thellë për qëndresën, sakrificën dhe kurajën e familjarëve, përkujtojmë të vrarët më 17 prill 1999.

E përjetshme është kujtesa e sakrificës së madhe për liri. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit!.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button