Odalloviq: Rojet e burgjeve në Kosovë kanë ruajtur Kurtin të kthehet i sigurt në shtëpi

Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur, Velko Odalloviq, duke komentuar arrestimin e tre serbëve në Lipjan dhe Prishtinë nën akuzat për krime lufte, ka thënë se “Kurti dhe të tjerët që qëndrojnë pas arrestimeve, e dinë shumë mirë se ata që kanë punuar si roje në burgjet gjatë luftës në Kosovë, “i kanë ndihmuar”, menjëherë pas bombardimit të burgut në Dubravë”.
Sipas fjalëve të këtij ish-shërbëtori të Millosheviqit, kur është marrë vendimi për zhvendosjen e të burgosurve shqiptarë, rreth 2.000 prej tyre, dhe shpërndarjen e tyre nëpër burgjet në Serbi, kanë qenë gardianët ata që e kanë bërë “të sigurt” një gjë të tillë.
“Ata persona e ruanin edhe Kurtin. Nuk e kam fjalën konkretisht për këta të tre, por të gjithë të arrestuarit janë kthyer shëndoshë e mirë në shtëpi”, ka thënë Odalloviq.
Sipas fjalëve të tij, “Kurti nuk është problemi kryesor, por bashkësia ndërkombëtare e cila me këmbëngulje po hesht”.
“E vetmja mbështetje reale për Kurtin janë amerikanët. Evropa nuk mund të ndërtojë një qëndrim të brendshëm të unifikuar, britanikët janë drejtpërdrejt përgjegjës për gjithçka që na ndodhi. Kurti e di shumë mirë se Evropa nuk e ka atë forcë”, ka deklaruar ish-guvernatori i Kosovës i vendosur në këtë funksion në mënyrë të dhunshme nga krimineli i luftës, Sllobodan Millosheviq, aktualisht në shërbim të Vuçiqit.