Sulmi me armë në Indi: Rritet bilanci me më shumë se 20 të vrarë

Të paktën dy duzina njerëz janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur, disa në gjendje kritike, pasi persona të armatosur hapën zjarr ndaj një grupi turistësh që po vizitonin Pahalgam, një qytet piktoresk në Himalaje, në Kashmirin e administruar nga India. Sulmi ndodhi në Baisaran, një livadh në majë të malit, rreth 5 kilometra larg nga qyteti i Pahalgamit.
Kryeministri i rajonit, Omar Abdullah, e quajti këtë sulm “shumë më të madh” se çdo akt të dhunshëm që ka ndodhur ndaj civilëve në vitet e fundit. Po ashtu, ai e cilësoi atë si një akt të tmerrshëm dhe të papranueshëm.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka deklaruar se ata që janë përgjegjës për këtë sulm do të “sillen para drejtësisë” dhe shtoi se vendosmëria për të luftuar terrorizmin është e palëkundur. Ministri i Brendshëm Amit Shah do të udhëtojë në Srinagar për të mbajtur një takim urgjent sigurie, për të adresuar situatën.
Në një tjetër reagim, Manoj Sinha, nënguvernatori i rajonit, tha se ushtria dhe policia janë vendosur menjëherë në vendngjarje dhe janë duke punuar për të gjetur autorët e sulmit. Sipas tij, zona është rrethuar dhe postblloqet po kontrollojnë çdo automjet që përpiqet të kalojë.
Dëshmitarët e sulmit kanë raportuar kaos të plotë pas të shtënave, me turistët që filluan të vrapojnë dhe të bërtasin për ndihmë. Disa dëshmitarë kanë thënë se sulmuesit duket se kishin veçuar jomuslimanët gjatë sulmit. Pamjet nga vendi i ngjarjes që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë trupat e shtrirë dhe njerëz që kërkojnë ndihmë.
Policia tha se shumë nga viktimat janë dërguar në spital për trajtim, ndërkohë që ende nuk është bërë e mundur të identifikohen të gjithë autorët. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por rajoni ka pasur një histori të gjatë të kryengritjes që nga viti 1989, dhe dhuna ka qenë e pranishme shpesh, megjithëse është zbehur në vitet e fundit.