Abdixhiku: I pari të bëjë zgjidhje si i pari, e ka një shumicë minimale, nuk e di pse nuk e votojnë kryetarin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është e nevojshme që Lëvizja Vetëvendosje të marrë përgjegjësinë dhe të bëjë zgjidhjen për formimin e institucioneve, pasi LVV ka një shumicë minimale për të arritur këtë.
Pas dështimit të shtatë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Abdixhiku ka shprehur dyshime për moszgjidhjen e situatës nga LVV.
“I pari të bëjë zgjidhje si i pari, t’i bëjë votat, e ka edhe një shumicë minimale me partitë tjera, nuk e di pse nuk po e votojnë”, tha Abdixhiku.
Për të shtatën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohej, pasi Albulena Haxhiu, e nominuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentare, mori vetëm 57 vota, ndërkohë që nevojiteshin 61 vota për ta marrë këtë post. Kundër saj votuan 41 deputetë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, ndërsa tre deputetët e Nismës Socialdemokrate abstenuan.