Lajme

Memli Krasniqi e pranon ftesën e Vjosa Osmanit, merr pjesë në takimin e 15 majit

Dështimi për të 14-ën herë i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka bërë që presidentja Vjosa Osmani të reagoi rreth kësaj situate.

Osmani tashmë ka ftuar në një takim konsultativ liderët e partive kryesore në vend. Presidentja ka propozuar që takimi të mbahet më 15 maj në orën 13:00.

Lajmin e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, ka thënë ai.

Ftesën për takim, e ka marrë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, konfirmojnë nga zyra e këtij të fundit.

“Po, Kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja”, tha Faton Abdullahu për Gazetën Sinjali.

“Kryetari Krasniqi do të merr pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button