Mblidhet Këshilli për Siguri në Serbi – Temë kryesore Kosova dhe Bosnja

Sot në ndërtesën e Presidencës së Serbisë u mbajt mbledhja e Këshillit për Siguri Kombëtare, e drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, e cila zgjati pothuajse dy orë. Temë kryesore e diskutimit ishte situata në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Pas mbledhjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, tha se takimi zgjati më shumë për shkak të numrit të madh të temave të trajtuara. Ai theksoi se u diskutua për sigurinë rajonale dhe udhëzimet për hapat e ardhshëm.
Mojsiloviq bëri të ditur se gjatë mbledhjes, presidenti Vuçiq prezantoi një dokument të hartuar nga Franca dhe Gjermania, të njohur si “non-paper”.
Sipas autoriteteve serbe, ky dokument ka implikime të drejtpërdrejta për Republikën Srpska dhe Bosnje e Hercegovinën, duke e vështirësuar pozicionin e Serbisë në rajon.