Trump: Marrëveshja bërthamore me Iranin është afër, paralajmëron Netanyahun të mos e pengojë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje bërthamore me Iranin është shumë afër finalizimit dhe ka paralajmëruar personalisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që të mos ndërhyjë në procesin e negociatave.
Sipas raportimeve të CNN, burime të afërta me zhvillimet konfirmojnë se ekipi i Trumpit është optimist për arritjen e marrëveshjes në takimin e ardhshëm. Negociatat janë ndërmjetësuar nga Omani dhe po udhëhiqen nga i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Trump theksoi se “bisedimet janë shumë të mira” dhe se një marrëveshje e mundshme “do të shpëtonte shumë jetë”.
Një nga pikat më të ndjeshme të diskutimit mbetet nëse Iranit do t’i lejohet pasurimi i uraniumit. Për këtë çështje është propozuar krijimi i një konsorciumi ndërkombëtar, me përfshirjen e vendeve të Lindjes së Mesme dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), për të prodhuar uranium të pasuruar për qëllime civile.
Netanyahu, një kundërshtar i kahershëm i marrëveshjeve me Teheranin, ka mbështetur më parë vendimin e Trump për të tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Ai ka shprehur shqetësime për sigurinë e Izraelit dhe mundësinë që Irani të zhvillojë armë bërthamore.
Ndërkohë, ekziston frika se një sulm i mundshëm izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane mund të rrezikojë përparimin e negociatave dhe të shkaktojë përshkallëzim të konfliktit në rajon.
Trump e përmbylli deklaratën duke thënë se, ndonëse është optimist, gjithçka mund të ndryshojë “me një telefonatë”.