A do të largohet nga Real Madridi? – Ancelotti flet për të ardhmen

Ky sezon nuk po zhvillohet në mënyrën më të mirë për trajnerin Carlo Ancelotti.
Strategu italian rrezikon të mbetet pa asnjë trofe në pjesën e mbetur të edicionit aktual.
Kjo pasi Real Madridi u eliminua mbrëmë nga Liga e Kampionëve, duke i dhënë fund rrugëtimit evropian në fazën çerekfinale.
Dalja nga gara nga Arsenali ishte një goditje e rëndë për “Don Carlon”, i cili tashmë ndodhet në një pozitë jo të favorshme edhe në garën për titullin kampion në La Liga. Për më tepër, në finalen e Copa del Rey do të përballet me Barcelonën që po kalon një formë të shkëlqyer.
Pas ndeshjes, trajneri i trofeshëm u pyet për të ardhmen e tij në “Santiago Bernabeu”, por ai zgjodhi të përgjigjet në mënyrë diplomatike.
“E ardhmja ime? Nuk e di. Dhe nuk dua ta di”, u shpreh fillimisht ish-trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat, Paris Saint-Germainit, Bayern Munichut, Napolit dhe Evertonit.
“Nëse Real Madridi vendos ta ndërrojë trajnerin, për mua nuk është problem, do t’i falënderoj të gjithë dhe shkoj nga këtu”, shtoi ai më tej.