Ambasadori britanik pas dështimit të seancës: Kosova ka nevojë urgjente për Kuvend e Qeveri funksionale

Dështimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës po vazhdon të prodhojë reagime të shumta, jo vetëm nga brenda vendit, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Sot ka reaguar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, duke dërguar një mesazh të qartë për udhëheqësit politikë: “Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale”.
Në një postim në rrjete sociale, ambasadori britanik ka theksuar se janë kaluar më shumë se dy muaj nga zgjedhjet, ndërsa vendi ende nuk ka as Kuvend funksional, as Qeveri.
“Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve, Kosova ka urgjentisht nevojë për një Kuvend dhe një qeveri funksionale. Qytetarët kanë të drejtë të presin që udhëheqësit e tyre politikë të bashkëpunojnë në interes të vendit”, ka shkruar Hargreaves.
Kjo deklaratë vjen pas dështimit të seancës konstituive, ku përkundër prezencës së 100 deputetëve, nuk u hodh në votim raporti për verifikimin e mandateve – një hap procedural bazik për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.
Seanca u udhëhoq nga deputeti i VV-së, Avni Dehari, i cili fillimisht kërkoi “konsultime” me partitë politike. Pas kthimit, ai e ndërpreu seancën, pa e proceduar raportin në votim – duke u arsyetuar me mungesë konsensusi, pavarësisht se kishte kuorum të plotë në sallë.
Kjo lëvizje e Vetëvendosjes u pa si bllokim i qëllimshëm nga ana e opozitës, ndërsa VV nuk ka dhënë një sqarim të plotë pse refuzoi të procedojë më tej.
Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë akuzuar partinë në pushtet se nuk i ka votat për të kaluar as verifikimin e mandateve, dhe se po e shtyn zvarrë procesin për arsye politike.
Deklarata e ambasadorit britanik nuk është e vetmja. Edhe më herët, përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së kanë kërkuar që Kosova të ecë përpara me formimin e institucioneve demokratike dhe të mos lejojë bllokada politike që cenojnë funksionalitetin e shtetit.
Kosova ndodhet aktualisht në një ngërç institucional, me një Kuvend të pakonstituuar dhe me rrezik që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, nëse situata nuk zhbllokohet së shpejti.