Arrestimi i ish-deputetit të VV-së nga Serbia, reagon Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se institucionet janë duke bërë maksimumin që ish-deputeti Gramos Agusholli, i cili është arrestuar në Serbi, të lirohet sa më parë.
“MPJD e ka dhënë qëndrimin e qeverisë. Po bëjmë maksimumin që ish-deputeti, kolegu ynë Gramos Agusholli, të lirohet një orë e më parë,” tha ai.
Këtë deklaratë, Kurti e bëri pas ceremonisë së certifikimit të nxënësve të klasave të 12-ta të profilit floktar në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, është ndaluar në pikën kufitare në Merdarë nga autoritetet e Serbisë.
Në njoftim bëhet e ditur se MPJD ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të QUINT’it dhe BE’në për të siguruar informacione zyrtare lidhur me rastin.
Reagimi i plotë:
Njoftim për ndalimin e ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Serbi
Sot paradite, më 26 maj 2025, jemi njoftuar për ndalimin e ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Gramos Agusholli, nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.
Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin.
MPJD dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këtë rast. Çdo informacion i ri do të shpërndahet menjëherë pas konfirmimit zyrtar.