Lajme

“As herën e 100-të s’kalon Albulena Haxhiu”, “Faji është i VV-së”, krejt çka tha opozita pasi dështoi seanca konstituive e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur as të shtunën  të konstituohet për të dhjetën herë me radhë. Procesi i konstituimit të Kuvendit ka ngelur pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Pas dështimit të seancës konstituive, partitë opozitare e bën të qartë qëndrimin e tyre se në asnjë mënyrë nuk e votojnë të propozuarën e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Albin Kurti dhe Vetëvendosje po tentojnë që në forma të paligjshme e jokushtetuese dhe duke keqpërdorur Avni Deharin të imponojnë vullnetin e tyre.

Krasniqi ka thënë se VV duhet ta ndërrojë kandidatin dhe ta propozojë një kandidat që merr shumicën e votave për t’u bërë kryetar i Kuvendit.

“Ua përkujtoj dhe ua përsëris, as herën e parë, as herën e dhjetë, as herën e 100-të nuk kalon Albulena Haxhiu, sepse nuk e meriton ky Kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë”, tha ai.

Krasniqi tha se Kurti nuk i ka votat të bëhet kryeministër.

“Kurti s’ka vota për t’u bërë kryeministër dhe kjo është arsyeja se pse po e mban peng Kuvendin”, ka thënë ai.

Edhe LDK përmes kryetares të Grupit Parlamentar, Hykmete Bajrami, përsëriti qëndrimin se nuk kanë votë për Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Ajo tha se kryetari i institucionit ligjvënës duhet të zgjidhet me marrëveshje politike.

“Nuk kemi votë për Albulena Haxhiun. Kryetari i Kuvendit duhet të zgjedhet me marrëveshje politike, dhe kështu do të vazhdojmë përderisa ata nuk reflektojnë”, tha Bajrami.

Kurse, deputetja e zgjedhur e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se Vetëvendosje nuk i ka votat për lojërat politike që po i bën.

‘‘Ajo çfarë po ndodh është vërtetë për keqardhje. E thanë edhe parafolësit është shkelje ligjore, shkelje kushtetuese, shkelje e rregullores së Kuvendit, mënyra e ndryshimit të votimit. Nuk i kanë votat për formimin e këtij komisioni, nuk i kanë votat për lojërat e tyre politike që po i bëjnë, dhe nëse nuk ndryshojnë qasje, kështu do të vazhdojnë dhe faji është i VV-së’, ka thënë ajo.

Lëvizja Vetëvendosje edhe në seancën e së shtunës sërish ka tentuar të krijojë Komisionin ad-hoc për votim të fshehtë por nuk ka marrë përkrahjen e PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës. Votimi mori 54 vota për, kundër një.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ftoi partitë që nuk kishin propozuar anëtar për komision gjatë seancës së kaluar, por ato nuk propozuan kandidat.

Dehari njoftoj se seanca u shty për të hënën në orën 10:00.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button