Asnjë shqiptar i pranuar në konkursin e fundit për policë në Serbi – KKSH reagon

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) ka reaguar ashpër pas publikimit të listave të fundit nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ku nuk është pranuar asnjë shqiptar në konkursin për pranim në policinë serbe.
Sipas kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepi, nga 43 kandidatë të pranuar në Preshevë dhe Bujanoc, si dhe nga 22 në Medvegjë, nuk figuron asnjë shqiptar. Ai e cilëson këtë si një sinjal alarmant dhe dëshmi të qartë të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore serbe.
“Kjo situatë është një rikthim i qartë në vitin 2001, kur shqiptarët ishin tërësisht të përjashtuar nga strukturat shtetërore. Mospërfshirja e tyre është shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rrezik për bashkëjetesën”, shkruan Rexhepi në një postim në Facebook.
Ai kujtoi Marrëveshjen e Konçulit, të nënshkruar 24 vjet më parë, e cila parashikonte integrimin e shqiptarëve në institucionet publike dhe krijimin e një policie multietnike në Luginën e Preshevës. Ndërsa gjatë viteve 2002–2004 u bë një përfshirje e konsiderueshme, sipas Rexhepit, ky proces është ndalur tërësisht që prej atëherë.
KKSH paralajmëroi se nëse ky trend vazhdon, përfaqësimi i shqiptarëve në polici do të zhduket plotësisht me daljen në pension të kuadrove aktuale. Këshilli bëri thirrje për rikthimin urgjent të programit të policisë multietnike si mënyra e vetme për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe proporcional, në përputhje me kushtetutën, marrëveshjet ndërkombëtare dhe planin 7-pikësh për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.