Basha: Nuk besoj që i ka zënë në befasi bizneset, është dashur të përgatiteshin më herët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka komentuar protestën e bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e detyrueshme të ndërmarrjeve në tregun e lirë të energjisë.
Basha tha se ky proces ka qenë i parashikuar prej vitesh dhe se bizneset është dashur të përgatiteshin më herët për këtë ndryshim, duke shtuar se qeveria po punon për të ndihmuar ato që kanë nevojë.
“Kjo për të dalur bizneset është në krejt vendet e ndryshme dhe është një ligj që tash e tetë vite pritet që të implementohet. Bizneset që po dalin në treg të hapur i kanë mbi 1 miliard euro fitim në vit, nuk po them që kjo nuk mund të ndikojë pak në çmime, por megjithatë jemi duke folur për profit, jo për qarkullim. Mendoj që kjo ka qenë çështje kohësh, ka qenë që 8 vite. Mendoj që nuk i ka zënë krejt në befasi, se bizneset është dashur që të përgatiten pak më herët. Por megjithatë qeveria mendoj që duhet me gjetë iniciativa dhe është duke e bërë Ministria e Ekonomisë për t’i ndihmuar”, tha ai.