Bashkimi Evropian zgjeron mandatin e EULEX-it në Kosovë deri në 2027

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, ka njoftuar zyrtarisht se mandati i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) do të zgjatet edhe për dy vite, deri në qershor të vitit 2027.
Gjatë fjalimit përpara stafit të EULEX-it, Kallas theksoi rëndësinë e këtij misioni.
“EULEX-i është misioni më i madh civil CSTP dhe i vetmi që operon në Ballkan perëndimor. Një Kosovë e sigurtë dhe me prosperitet është thelbësor për sigurinë e gjerë në Evropë.”
Ajo shtoi se puna e EULEX-it ka qenë kyçe në ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
“Po ndihmoni në forcimin e sigurisë, sundimin e ligjit dhe pajtimin mes komuniteteve lokale… Kjo punë është e rëndësishme në ndërtimin e besimit mes komuniteteve dhe besimin në institucione.”
Kallas përmendi edhe reagimin e shpejtë të misionit ndaj tensioneve të fundit.
“Incidentet e dhunshme në Zveçan dhe në Banjskë më 2023 ishin dëshmi për këtë. Nuk mund të harroj punën tuaj në zgjedhjet e shkurtit, ku siguruat që BE-ja të jetë e dukshme përgjatë gjithë Kosovës gjatë një periudhe të tensionuar.”
Në fund, ajo bëri thirrje për bashkëpunim dhe forcim të institucioneve.
“Dje fola me liderët e partive politike kryesore këtu në Kosovë dhe i inkurajova që ta shfrytëzojnë momentumin, t’i themelojnë institucionet.”
Zgjatja e mandatit të EULEX-it nënvizon vendosmërinë e BE-së për stabilitet dhe zhvillim në Kosovë dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit.