Botë

BBC: 27 ushtarë rusë të vrarë për çdo kilometër tokë të fituar në Ukrainë gjatë vitit 2024

Që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë, viti 2024 ka rezultuar të jetë më vdekjeprurësi për forcat ruse, me 45,287 ushtarë të vrarë – gati trefishi i humbjeve të regjistruara gjatë vitit të parë të luftës.

Sipas një raporti të përbashkët të realizuar nga BBC, media e pavarur Mediazona dhe disa vullnetarë, në fillimet e luftës humbjet ruse ndodhnin kryesisht gjatë betejave në zona kyçe. Megjithatë, gjatë vitit 2024, është vërejtur një rritje e qëndrueshme e viktimave nga muaji në muaj, edhe pse linja e frontit ka përparuar me ritme shumë të ngadalta.

Të dhënat e përftuara nga varrezat ushtarake në Rusi, memorialet dhe nekrologjitë kanë treguar se për çdo kilometër të fituar në territorin ukrainas, Rusia ka humbur rreth 27 ushtarë.

Në të njëjtin raport të BBC-së thuhet se gjatë gjithë pushtimit të Ukrainës, janë identifikuar emrat e 106,745 ushtarëve rusë të vdekur. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky numër përfaqëson vetëm 45% deri në 65% të viktimave reale, çka do të thotë se humbjet mund të variojnë nga 164,223 deri në 237,211 ushtarë të vrarë.

Nga krahasimet vjetore të bëra në raport, rezulton se në vitin e parë të pushtimit Rusia ka humbur të paktën 17,890 ushtarë, ndërsa në vitin 2023 kjo shifër është rritur në 37,633. Rritja dramatike në vitin 2024 tregon një intensifikim të konfliktit dhe një strategji që ka sjellë kosto të lartë njerëzore për palën ruse.

Analisti ushtarak amerikan Michael Kofman thekson se humbjet më të mëdha kanë ndodhur gjatë avancimit të ngadaltë rus në lindje të Ukrainës, veçanërisht mes shtatorit dhe nëntorit 2024. Gjatë kësaj periudhe, sipas vlerësimeve të Institutit Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), forcat ruse kanë marrë nën kontroll rreth 2,356 kilometra katrorë të territorit ukrainas.

Në total, në vitin 2024, Rusia ka fituar rreth 4,168 kilometra katrorë tokë, duke konfirmuar se për çdo kilometër tokë të fituar, janë vrarë mesatarisht 27 ushtarë rusë – pa përfshirë të plagosurit në këto shifra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button