Botë

BE kundër tarifave të Trump: Nuk do të qëndrojmë duarkryq

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar një kundërpërgjigje të fortë ndaj tarifave të reja që pritet të vendosë administrata e Presidentit amerikan ndaj shteteve evropiane, Donald Trump.

Komisioni Evropian reagoi pas deklaratës së Trumpit, i cili njoftoi se ShBA-ja do të vendosë një tarifë 25% për importet nga BE. “BE-ja nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do t’i mbrojmë bizneset, punonjësit dhe konsumatorët evropianë nga tarifat e pajustifikuara”, thuhet në reagimin e KE-së, raporton Reuters.

Gjatë një deklarate për mediat, Trump konfirmoi se tarifat do të përfshijnë makinat dhe mallrat tjera evropiane. “Në përgjithësi, tarifa do të jetë 25%”, tha ai, duke kujtuar edhe vendimin e mëparshëm për taksat mbi çelikun dhe aluminin e importuar nga BE-ja.

Presidenti amerikan akuzoi Bashkimin Evropian se ka dëmtuar ShBA-në me politikat e tij tregtare. “BE-ja u krijua për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara. Ata e kanë bërë një punë të mirë deri tani, por tani unë jam president”, deklaroi Trump.

Vendimi i tij ka shkaktuar tensione mes ShBA-së dhe Evropës, duke rrezikuar marrëdhëniet ekonomike mes dy palëve. Sipas administratës amerikane, tarifat synojnë të barazojnë taksat që BE vendos mbi produktet amerikane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button