Bill Gates: Fëmijët e mi do të trashëgojnë më pak se 1% të pasurisë, të ndërtojnë vetë suksesin e tyre

Bill Gates, një nga njerëzit më të pasur në botë me një pasuri që vlerësohet në 107 miliardë dollarë, ka shpjeguar në një intervistë se fëmijët e tij do të trashëgojnë më pak se 1% të pasurisë së tij kur të vdes.
Miliarderi dhe themeluesi i Microsoft ka tre fëmijë me ish-gruan e tij Melinda: Jennifer, Rory dhe Phoebe.
Në një intervistë për podcastin Figuring Out With Raj Shamani, Gates diskutoi për mënyrën si i ka rritur fëmijët e tij dhe theksoi se ai nuk ka ndërmend t’ua kalojë pasurinë e tij të madhe, pasi mendon se nuk do t’u bëhej një nder.
“Fëmijët e mi kanë pasur një fëmijëri dhe arsimim të shkëlqyer, por do të marrin më pak se një për qind të pasurisë time. Nuk bëhet fjalë për një dinasti,” tha ai.
Gates shpjegoi gjithashtu se ai dëshiron që fëmijët e tij të krijojnë mundësi dhe sukses të tyren, në vend që të jetojnë nën “hijen e fatit dhe privilegjit të pabesueshëm” që ai ka pasur.