Lajme

Bullgaria nuk përfshihet në aleancën Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Çitaku: Maqedonci foli në emër të Bullgarisë, amatorizëm

Zyrtarja e lartë e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se është amatorizëm diplomatik, fakti që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur në emër të Bullgarisë duke thënë se Sofja zyrtare do t’i bashkohet aleancës ballkanike ushtarake me Shqipërinë e Kosovën.

“Sinqerisht, po të mos ishin kaq të dëmshëm për shtetin, do të ishin thjesht për keqardhje. Del ministri i Mbrojtjes në detyrë dhe flet në emër të Bullgarisë, një shtet anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, duke e detyruar pastaj atë shtet mik të demantojë publikisht deklaratën e tij”, ka thënë ish-ambasadorja e Kosovës në Washington.

“Kjo është papërgjegjësi në nivelin më të lartë. Amatorizëm diplomatik e politik që e turpëron vendin.Veprimet e tilla nuk janë vetëm të palogjikshme por janë edhe të dëmshme për raportet tona ndërkombëtare dhe për kredibilitetin e shtetit”, ka përfunduar Çitaku.

Kryediplomati bullgar, Georg Georgiev të martën ka thënë se informacionet që sugjerojnë se Bullgaria ka shprehur interes jozyrtarisht për t’iu bashkuar Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, janë të pasakta.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedoni, në një intervistë për TRT, kishte deklaruar se Bullgaria ka shprehur interes dhe se për një gjë të tillë kanë pranuar edhe konfirmimin nga shteti bullgar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button