Cili është plani i Evropës për bisedimet e paqes Ukrainë-Rusi?

Gjatë javëve të fundit, shtetet evropiane, kryesisht Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë tentuar që të përfshihen në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë.
Ka pasur një sërë takimesh të suksesshme të nivelit të lartë në Paris më 17 prill dhe një në Londër gjashtë ditë më vonë, që u minimizua politikisht pasi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, anuluan pjesëmarrjen.
Mospjesëmarrja raportohet se ndodhi për shkak të mosgatishmërisë së Kievit për t’u pajtuar me një plan të paqes që përfshin njohjen e aneksimit të paligjshëm nga Rusia të Gadishullit të Krimesë.
Më 26 prill, presidenti amerikan, Donald Trump, u takua me udhëheqësin ukrainas, Volodymyr Zelensky, para varrimit të Papa Françeskut në Vatikan. Megjithatë, nuk është raportuar për ndonjë rezultat nga ky takim.
Çfarë po bën Evropa karshi bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë?
Prioriteti i parë është që SHBA-ja të mbetet në proces dhe të vazhdojë komunikimin me ukrainasit. Se sa e suksesshme mund të jetë kjo përpjekje ende nuk dihet, pasi Uashingtoni ka kërcënuar se do të largohet nga procesi nëse shpejt nuk ka përparim.
Zyrtarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, megjithatë, thanë se besojnë që kjo mund të jetë një taktikë negociuese që ka për synim t’i bëjë presion Ukrainës, duke thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, ka prirje që të shfaqet i ashpër në publik dhe më pas rikthehet në tryezën e negociatave – siç dëshmohet nga mënyra se si ka vendosur dhe më pas u tërhoq nga zbatimi – të paktën përkohësisht – i tarifave tregtare.
Evropianët po synojnë atë që po e quajnë “sekuencim”, pra fillimisht një armëpushim që do të respektohej nga të dyja palët, e më pas arritja e një paqeje të qëndrueshme.
Besimi është se kjo mund të sigurojë që të garantohen më shumë interesa të sigurisë të Ukrainës dhe jo gjithçka të ndodhë sipas kushteve të Moskës. Ka shpresë se gatishmëria e Ukrainës, e shprehur muajin e kaluar, për të respektuar një armëpushim – dhe dështimi i Rusisë për një gatishmëri të tillë – tregon se Kievi po vepron me mirëbesim, ndryshe nga Moska.
Kjo do t’u jepte gjithashtu evropianëve kohë për të organizuar një “forcë sigurie” në pjesën perëndimore të Ukrainës me të paktën njëfarë mbështetjeje politike amerikane, megjithëse pjesëmarrja ushtarake amerikane duket e pamundur, sipas diplomatëve evropianë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.
Ideja aktuale është më pak në drejtim të një pranie të “çizmeve në terren” dhe më shumë drejt patrullimeve ajrore, me qëllim të ofrimit të sigurisë në aeroportin e Lvivit dhe zonave përreth si një qendre transporti për Ukrainën.
Evropianët gjithashtu janë të përkushtuar që të vazhdojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Edhe pse besohet se mund të jetë e pamundur të plotësohet plotësisht boshllëku i lënë nga Shtetet e Bashkuara, ekziston shpresa që paratë evropiane të vazhdojnë të rrjedhin dhe se Qeveria e re gjermane, që do të formohet në fillim të majit, do të jetë më e hapur, veçanërisht për miratimin e dhënies së raketave të shumëpritura lundruese nga Kievi, Taurus.
Po thirrjet e SHBA-së për njohjen e Krimesë si ruse?
Sa i përket disa kërkesave amerikane për një propozim të mundshëm të paqes, evropianët janë shumë të qartë.
Nuk do të ketë njohje de jure të Krimesë si pjesë e Rusisë – vetëm nëse, sigurisht, Ukraina pajtohet për diçka të tilla. Njohja de facto e territoreve që aktualisht kontrollohen nga Rusia është një çështje tjetër. Gjithashtu, mosfutja në agjendë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO është një çështje që mund të kapërdihet.
Disa shtete evropiane u fshehën pas SHBA-së, kur, nën administratën e ish-presidentit Joe Biden, u hodh poshtë mundësia e dërgimit të ftesës që Ukraina t’i bashkohet aleancës ushtarake si në samitin e NATO-s në Vilnius më 2023, ashtu edhe në Uashington një vit më vonë.
Anëtarësimi eventual në BE, megjithatë, është çështje tjetër. Brukseli dhe të gjitha kryeqytetet aleate evropiane janë të bindura se Moska nuk ka peshë sa i përket këtij vendimi.
Sipas diplomatëve, që kanë njohuri për propozimin amerikan për marrëveshjen e paqes, Rusia pranon se Ukraina mund t’i bashkohet bllokut. Një i ashtuquajtur skenar qipriot, që do të thotë që e gjithë Ukraina në një pikë mund të konsiderohet pjesë e BE-së, megjithatë në fakt vetëm ato pjesë që janë nën kontrollin e Kievit do të përfshihen, duket se do të jetë zgjedhja e mundshme.
Një gjë që duket se nuk është në agjendë tani për tani – gjë që i gëzon evropianët – është kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Ukrainë, një kërkesë që diplomatët i thanë REL-it se qetësisht është larguar nga kërkesat amerikane, pasi fillimisht ishte përmendur si kusht i mundshëm. Por, REL-i ka mësuar se kjo kërkesë mund të jetë edhe një gjë që Rusia mund ta shtyjë përpara.
A mundet Evropa t’i lehtësojë sanksionet ndaj Rusisë?
Më pas është çështja e sanksioneve. Përderisa SHBA-ja i ka ofruar Rusisë mundësinë e lehtësimit të sanksioneve, evropianët nuk përkrahin një opsion të tillë. Do të duhet unanimitet që BE-ja të heqë sanksionet, dhe aktualisht një unanimitet i tillë nuk ekziston aktualisht.
Në fakt, diplomatët thanë për REL-in se Parisi dhe Berlini duan të ashpërsojnë presionin ndaj Rusisë, dhe në javët në vijim të vendosin masa edhe më të ashpra.
Veçse është planifikuar pakoja e 17-të e sanksioneve ndaj Kremlinit, pas sulmeve vdekjeprurëse ruse në Sumi dhe Krijvij Rih më herët gjatë prillit dhe Brukseli tani po përshpejtojnë hartimin e kësaj pakoje.
BE-ja po ashtu po finalizon ngrirjen e aseteve dhe vendosjen e ndalesave të udhëtimit për 15 rusë që akuzohen se kanë kryer sulme hibride në BE. Kjo do të jetë pjesë e një pakoje të ndarë të sanksioneve.
Si me të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me Rusinë, zyrtarët evropianë e pranojnë se do të jetë e vështirë që Hungaria të japë dritën e gjelbër dhe prandaj pakoja e re me gjasë do të jetë simbolike dhe jo me ndonjë ndikim të madh.
Ata gjithashtu duhet të marrin pëlqimin e Budapestit për të rinovuar sanksionet sektorale ndaj Rusisë në korrik. Ka shumë shqetësime se kjo mund të mos ndodhë dhe madje shtete të tjera anëtare mund të fillojnë të kundërshtojnë disa masa sanksionesh, duke krijuar një nguti sa i përket gjetjes së alternativave për mbajtjen në fuqi të masave sanksionuese.
Një nga pikat që shumica e shteteve dëshiron të ruajë janë afërsisht 200 miliardë euro të aseteve të ngrira ruse, që janë në bllok, jo vetëm sepse BE-ja dëshiron ta përdorë këtë shumë si një kartë kundër Moskës, me qëllim që ta detyrojë atë që të paguajë për rindërtimin e Ukrainës.
Fitimet e papritura nga asetet e ngrira aktualisht financojnë nevojat ushtarake të Ukrainës, dhe huaja prej 45 miliardë euro nga G7 që mbështet nevojat makrofinanciare të Kievit për vitin 2025 është e përkrahur nga këto asete, si kolateral. Prandaj, Evropa dëshiron të mbajë në fuqi në të ardhmen disa sanksione ndaj Rusisë.