Çitaku pas ndërprerjes së seancës: VV e ka uzurpuar Kuvendin

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë për herë të katërt me radhë, pa u arritur të votohet për kryetarin e Kuvendit, për shkak të mungesës së dakordimit mes partive politike.
Pas kësaj ndërprerjeje, ka reaguar ashpër deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për uzurpim të Kuvendit dhe shkelje të Rregullores.
“VV e ka uzurpuar Kuvendin. Sot, kryesuesi i seancës e shkeli me të dy këmbët Rregulloren e Kuvendit. Propozimi i VV-së për kryetar është dashur patjetër të hidhej në votim. Pas kësaj, është në dorën e deputetëve të vendosin me votë, pro apo kundër,” shkroi ajo në Facebook.
Çitaku e quajti situatën një “marrëzi totale” dhe një “shkelje të rëndë të demokracisë parlamentare”, duke shtuar se veprime të tilla dëmtojnë proceset demokratike dhe legjitimitetin e Kuvendit si institucion përfaqësues.