Costa në konferencë: Heqja e masave lidhet me shtensionimin në veri, shpresoj që ngjarjet e fundit të jenë përjashtim

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, deklaroi se heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës është e lidhur drejtpërdrejt me uljen e tensioneve në veri të vendit. Ai shprehu pritjen që zhvillimet e fundit të mos përfaqësojnë një kthesë destabilizuese, por një përjashtim nga angazhimi i vendit për paqe dhe stabilitet.
“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të deskaluar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dëshiroj që sa më shpejt të arrihet shtensionimi dhe të mund të ecim përpara drejt heqjes së këtyre masave”, u shpreh Costa të mërkurën në konferencën për media me presidenten Vjosa Osmani.
Ai theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës mbetet e kushtëzuar me progresin në dialogun me Serbinë dhe përkushtimin ndaj reformave të brendshme.
“Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për të shtensionuar situatën dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane”, tha Costa.
Presidenti i Këshillit Evropian e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Evropian si një nga projektet më të rëndësishme gjeopolitike të kohës, duke nënvizuar rëndësinë që ka kjo qasje për Ballkanin Perëndimor dhe stabilitetin e kontinentit.
“Është një mundësi e madhe për Ballkanin Perëndimor dhe është thelbësore që të vazhdohet me agjendën e reformave dhe të përfitohen benefitet e saj. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në dobi të qytetarëve dhe ky proces është jetik për rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Evropian”, theksoi ai.