Ekstradohen në Itali tre shtetas shqiptarë të kërkuar për trafik droge

Tre shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, janë ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë.
Ekstradimi u krye si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, ka bërë të ditur policia e Shqipërisë përmes një njoftimi në Facebook.
“Albert Koni, 51 vjeç, pasi Gjykata e Torinos, në vitin 2025, e ka dënuar me rreth 4 vjet e gjysmë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë vitit 2017, ai ka shitur lëndë narkotike Kokainë, në ambiente publike, në zonat Arona dhe Novara;
-R. A., 21 vjeç, pasi Gjykata e Milanos, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale. Ai akuzohet se gjatë periudhës 2022-2024, ka qenë pjesë e një organizate kriminale që ka trafikuar në Milano, sasi të mëdhaja lëndësh narkotike;
-A. F., 39 vjeç, pasi Gjykata e Gjenovas, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, sepse akuzohet në kuadër të operacionit “COOK 2020” të Policisë italiane, për trafikim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, të kryera në kuadrin e organizatës kriminale.