Lajme

Gërvalla kërkon urgjentisht heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kërkoi mbështetje të qartë për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO, duke theksuar rëndësinë e këtyre proceseve jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin rajonal dhe sigurinë evropiane.

Gërvalla përmendi tri hapa urgjentë që kërkohen tani, e që kontribuojnë jashtë mase në stabilizimin e rrethanave në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe hapjen e rrugës për integrimin e rajonit në BE.

“Hapat në fjalë janë: heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, përfundimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”, ka thënë Gërvalla thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Gërvalla nënvizoi përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës ndaj dialogut të lehtësuar nga BE me Serbinë, dhe zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të vitit 2023. Ajo theksoi se ky proces duhet të çojë drejt njohjes reciproke dhe ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mbi bazën e barazisë dhe vlerave evropiane. Ajo kërkoi nga BE-ja edhe veprime ndaj Serbisë e cila në vazhdimësi e mohon marrëveshjen dhe vepron në kundërshtim me dispozitat e saj.

Në dritën e kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia dhe ndikimit rus në rajon, Ministrja Gërvalla bëri thirrje për mbështetje të fuqishme për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO. Ajo kërkoi gjithashtu llogaridhënie të plotë për aktin e hapur të agresionit në Banjskë, si çështje kyçe për sigurinë rajonale dhe integritetin e BE-së.

“Koha për veprim është tani. Mbështetja për Kosovën është investim për paqe, siguri dhe demokraci në gjithë Evropën,” përfundoi Ministrja Gërvalla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button