Lajme

Gjykata refuzon gjykimin në mungesë për 42 të akuzuarit për sulmin në Banjskë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për të zhvilluar gjykimin në mungesë ndaj 42 të pandehurve për sulmin në Banjskë, duke e cilësuar atë si “të pabazuar”.

Sipas Gjykatës, kushtet ligjore për një procedurë të tillë nuk janë plotësuar, duke theksuar se procesi mund të vazhdojë vetëm pas arrestimit dhe ekstradimit të të dyshuarve në Kosovë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për procedimin e gjykimit në mungesë ndaj të pandehurve M.R, V.R, U.J, M.J, V.A, A.M, L.S, V.D, V.V, S.J, M.K, U.M, T.V, D.V. V.J, S.P, N.S, M.V, S.R, M.R, M.A, Z.C, K.D, S.M, M.S, A.J, R.G, I.M, G.Z, N.R, R.A, M.M, D.B, D.D, D.V, A.T, M.K, M.N, N.I dhe V.I, të akuzuar për veprën penale kryerja e veprës penale terroriste dhe veprën penale Vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, i pandehuri M.R, i akuzuar edhe për vepër penale lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit si dhe vepër penale shpërlarja e parave”, shkruhet në njoftim.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Millan Radoiçiq, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, prej tyre vetëm tre – Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq – ndodhen në paraburgim dhe u deklaruan të pafajshëm në seancën e parë të mbajtur të enjten.

Të pandehurit ngarkohen me vepra penale të rënda, përfshirë terrorizëm dhe shkelje të rendit kushtetues. Radoiçiq, përveç këtyre, akuzohet edhe për financim të terrorizmit dhe pastrim parash.

Kosova vazhdon të kërkojë bashkëpunim nga Serbia për dorëzimin e të arratisurve, por deri më tani, Beogradi ka mohuar çdo përfshirje në rastin e Banjskës, ndonëse bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin dhe ka kërkuar drejtësi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button