Gjykata Speciale: Konferenca për shtyp e Trendafilovës u anulua në interes të sigurisë publike

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shprehur keqardhje për anulimin e konferencës për shtyp të planifikuar për sot me gazetarët, të drejtuar nga kryetarja Ekaterina Trendafilova, e cila kishte për qëllim të mbante publikun të informuar për proceset gjyqësore në Hagë.
Në reagimin e tyre, Dhomat e Specializuara theksuan se është qëllimi i tyre dhe i kryetares Trendafilova të mbajnë të informuar publikun në Kosovë, pasiqë gjykimet mbahen jashtë vendit, duke ofruar informacion të përditësuar dhe të qartë për çdo zhvillim në këtë drejtim.
“Ky ishte qëllimi i vizitës së Kryetares Trendafilovës në Kosovë këtë javë, dhe gjithashtu i takimeve me gazetarët, përfshirë takimin që ishte planifikuar sot, ku mediat mund të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje nga gjykata”, thuhet në reagimin e Dhomave të Specializuara.
Konferenca nuk u realizua për shkak të protestave të veteranëve dhe grupeve të tjera, të cilat përdorën mjete të ndaluara, duke përfshirë bomba tymuese, për të penguar mbajtjen e takimit. Dhomat e Specializuara theksuan se, megjithëse protestat janë një e drejtë demokratike, është keqardhje që gazetarët nuk mundën të bëjnë pyetje drejtpërdrejtë me kryetaren e gjykatës.