GP i LDK-së: Jemi në krizë të thellë, qeveria kalimtare gjithëpërfshirëse rruga më e mirë për zgjidhje

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me komunikatë pas takimit të të githë liderëve politikë në Presidencë të Kosovës, takim ky i cili dështoi të prodhojë rezultat në zgjidhje të krizës institucionale.
LDK konsideron se Vetëvendosja po shkel ligje dhe kushtetutë – krejt kjo si pasojë e asaj që s’ka shumicë parlamentare as për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit.
Në këtë sitatë, vlerëson LDK-ja, “rruga më e mirë” është qeveria kalimtare gjithëpërfshirëse e propozuar që të jetë jetëshkurte deri në zgjedhjet e reja.
Komunikata e LDK-së:
Deklaratë politike e përbashkët e Kryesisë së LDK-së dhe e Grupit parlamentar
Prishtinë, 15 maj 2025
Sot, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku morri pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, në përpjekjen për të gjetur zgjidhje për të dalë nga kriza politike dhe institucionale tre mujore e vendit. Pa Kuvend, pa qeveri funksionale; pa drejtim; dhe si rrjedhojë – pa përgjigje për brengat e qytetarëve.
Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron obligim politik, moral dhe kushtetues të paraqesë qartazi vizionin dhe qëndrimin politik për tejkalimin e krizës aktuale.
Kriza është pasojë e paaftësisë së partisë së parë për të krijuar shumicën parlamentare, zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimit të Kuvendit.
Çdo përpjekje për të funksionalizuar institucionet pa një shumicë të tillë nuk është tjetër veçse përpjekje për të imponuar arbitrarisht dëshira politike partiake mbi realitetin politik. Së këndejmi, insistim kokëfortë dhe me vetëdije për të përsëritur procesin e dështuar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit për herën e gjashtëmbëdhjetë, nuk jep asnjë zgjidhje.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja e tanishme nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi. Çdo vonesë në ndërtimin e institucioneve, çdo ditë me një qeveri në detyrë që vepron përtej kompetencave kushtetuese, deri në shkelje të rënda penale, është dëm për interesin e qytetarëve dhe cenon rëndë rendin kushtetues institucional të vendit.
Me qëllim të zgjidhjes së krizës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë propozimin për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe detyrime të përcaktuara qartë. Kryesia e LDK-së vlerëson se propozimi i LDK-së për zgjidhjen e krizës është më i përshtatshmi dhe i shërben interesit të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme, do të sillet me maturi në drejtim të zgjidhjes së krizës.
Lidhja Demokratike e Kosovës fton të gjitha partitë politike që të mbështesin idenë për një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, si rruga më e mirë të zgjidhur krizën e thellë.