Haxhi Shala dënohet me tri vite burgim dhe 500 euro gjobë nga Gjykata Speciale

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala është dënuar me tri vite burgim dhe 500 euro gjobë nga Gjykata Speciale për pengim të drejtësisë.
“Trupi gjykues vendos: në pajtim me rregullën 94 që të miratojë marrëveshjet për pranimin e fajësisë për të tre të akuzuarit. Për z.Shala, Januzi e Bahtijari. Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju konsideron fajtor për veprat e mëposhtme. Pengimi i personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare. Pasi ka shqyrtuar argumentet dhe provat e paraqitura nga palët, trupi gjykues lëshon këto dënime: Z.Shala dënohet me tri vjet burg, Sabit Januzi dënohet me 2 vjet burgim dhe Ismet Bahtijari dënohet me 2 vjet burg”, ka thënë gjyqtarja e Speciales.
Shala, Januzi dhe Bahtijari e kishin pranuar fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe për pengim të drejtësisë, pasi arritën marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranim të fajësisë në fund të dhjetorit 2024.
Në marrëveshjen e tyre me Prokurorinë, Shala ishte pajtuar me një dënim deri në tri vjet burgim, Januzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj, ndërsa Bahtijari ishte pajtuar se, në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apeli ndaj vendimit.