Botë

I dërguari i Trumpit mohon se ka propozuar ndarjen e Ukrainës: Kam folur për mbështetje, jo ndarje

I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, për luftën në Ukrainë, Keith Kellogg, mohoi pretendimet se ai kishte propozuar ndarjen e shtetit ukrainas.

Gazeta britanike The Times raportoi se Kellogg kishte sugjeruar në një bisedë që forcat britanike dhe franceze të merrnin kontrollin mbi perëndimin e Ukrainës si pjesë e “forcave për sigurimin e stabilitetit”, ndërsa ushtria ruse do të qëndronte në lindje. Thuhet se ai kishte deklaruar se kjo “mund të ngjante me ndarjen e Berlinit pas Luftës së Dytë Botërore”.

Më pas, Kellogg ka reaguar në platformën X duke pohuar se fjalët e tij ishin “keqinterpretuar”.

“Kam folur për forca që do të mbështesnin sovranitetin ukrainas pas një armëpushimi. Nuk kam folur për ndarjen e Ukrainës”, pohoi ai.

Ndryshe, as Shtëpia e Bardhë dhe as Kievi zyrtar nuk e komentuan këtë shkrim të gazetës britanike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button