Lajme

Incizoi fshehurazi mjetet e Policisë dhe zbuloi identitetin e zyrtarit të AKI-së, çfarë thotë aktakuza për spiunazh ndaj Aleksander Vllajiqit

Prokruoria Spciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj Aleksander Vllajiq nën dyshimet për spiunazh.

Sipas aktakuzës, Vllajiq deri në ditën e arrestimit më 26 qershor 2024 si bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) kishte mbledhur dhe informacione duke përfshirë dokumente dhe material që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës e pastaj ia kishte transmetuar një zyrtari të BIA-së

Aktakuza e cila është ngritur me 22 Maj 2025, thotë se Vllajiq fillimisht i kishte incizuar fshehurazi lëvizjet e automjeteve të Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në pjesën veriore të vendit.

Pastaj thuhet se kishte mbledhur informacione edhe për serbë për të cilët pretendohej se ishin bashkëpunëtor të strukturave të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Si rrjedhojë, aktakuza thotë se Vllajiq ka zbuluar identitetin e një zyrtari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjence, (AKI). Identitetin e këtij zyrtari të AKI-së, aktakuza thotë se Vllajiq e kishte mësuar sa ishte pjesëtar aktiv i Policisë së Kosovës.

Aktakuza thotë se të gjitha këto informacione, Vllajiq ia kishte komunikuar zyrtarit të BIA-së kështu duke vepruar në kundërshtim me interesat shtetërore të Kosovës, duke dëmtuar rendin kushtetues dhe duke cenuar sigurinë kombëtare.

Përveç kësaj, aty thuhet se Vllajiq ka rrezikuar drejtpërdrejtë edhe jetën e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të saj.

Ndërkohë që iu ishte bastisur shtëpia në Mitrovicë në ditën e arrestimit, Vllajiqit iu ishte gjetur një armë e gjatë pneumatike e modelit “Cverna Zastava” dhe një sprej gaz-lotsjellës të cilat edhe iu ishin sekuestruar.

Me këto veprime, PSRK-ja e ka ngarkuar Vllajiqin me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 i KPRK-së. E po ashtu edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 par. 1 i KPRK-së.

Seanca gjyqësore për këtë rast pritet të mbahet me 5 qershor 2025. Kjo gjë është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca gjyqësore në çështjen penale ndaj të pandehurit A.V. është caktuar të mbahet me datë 05 qershor 2025, në ora 09.30”, u përgjigj Gashi.

Ndryshe, Aleksander Vllajiq akuzohet së bashku me Dejan Pantiq, Miun Milenkoviq dhe Miomi Vaki për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ).

sipas aktit akuzues thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba.

Më 13 dhjetor 2023 PSRK kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës për Pantiq dhe tre të tjerët.

Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, ndërsa më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button