Botë

Izraeli kërkon evakuimin e menjëhershëm të aeroportit ndërkombëtar të Jemenit

Një zhvillim i papritur ka tronditur situatën e brishtë në Lindjen e Mesme. Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë lëshuar sot një paralajmërim urgjent për evakuimin e aeroportit ndërkombëtar të Sana’ës në Jemen, duke ngritur alarmin për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

Përmes një deklarate në rrjetet sociale, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, ka paralajmëruar qytetarët jemenas.

“Mos qëndrimi në këtë zonë mund t’ju kushtojë jetën. Evakuoni menjëherë”.

Ky është paralajmërimi i parë zyrtar i ushtrisë izraelite që ka në shënjestër territorin jemenas në këtë formë të drejtpërdrejtë, duke sinjalizuar një përshkallëzim të rrezikshëm në rajon.

Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas një serie sulmesh ajrore izraelite ndaj portit të Hodeidah dhe një fabrike çimentoje aty pranë.

Sipas mediave ndërkombëtare, këto sulme ishin hakmarrje për lëshimin e një rakete balistike nga rebelët Huthi, e cila depërtoi mbrojtjen ajrore të Izraelit dhe shpërtheu pranë aeroportit ndërkombëtar të Tel Avivit të dielën në mëngjes.

Nuk është hera e parë që aeroporti i Sana’ës bëhet cak i sulmeve. Në dhjetor të vitit të kaluar, një sulm izraelit mbi këtë aeroport la të vrarë të paktën tre persona dhe plagosi mbi 30 të tjerë.

Për momentin, autoritetet jemene nuk kanë dhënë një reagim zyrtar, por tensionet në rajon pritet të rriten në mënyrë dramatike në orët dhe ditët në vijim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button