KFOR-i kundërshton Maqedoncin: Nuk ka përqendrim të forcave serbe pranë kufirit me Kosovën

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka hedhur poshtë deklaratat e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili pretendoi se 70 për qind e forcave të ushtrisë serbe janë të pozicionuara pranë kufirit me Kosovën.
Në një përgjigje për media, KFOR-i deklaroi se “nuk ka vërejtur dhe as është informuar për ndonjë ndryshim domethënës së fundmi në praninë e Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë vijës kufitare administrative”.
Maqedonci më herët kishte paralajmëruar për rrezik nga pozicionimi i ushtrisë serbe, duke theksuar se “48 baza të përparme të ushtrisë serbe paraqesin kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”.
Por sipas KFOR-it, çdo aktivitet i ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën duhet të raportohet paraprakisht dhe në mënyrë të rregullt tek ky mision, në përputhje me procedurat e vendosura. Misioni ka shtuar se që nga viti 2023 ka rritur ndjeshëm praninë dhe ka intensifikuar patrullimet përgjatë kufirit.
“Komandanti i KFOR-it zhvillon komunikime të rregullta me autoritetet ushtarake të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit të ndërsjellë për situatën në terren”, përfundon deklarata.