Kos: Është në interes të Kosovës që të formojë shpejt institucionet e saj

Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të institucioneve në Kosovë, për të mundësuar përparimin e reformave evropiane dhe përfitimin nga Plani Evropian për Rritje.
Ajo theksoi rëndësinë e nënshkrimit dhe ratifikimit të marrëveshjeve të ndërlidhura me këtë plan, duke theksuar se lirimi i fondeve varet nga përmbushja e kritereve të tjera.
“Tani është në interes të Kosovës që të formojë shpejt institucionet e saj, në mënyrë që të çojë përpara reformat urgjente evropiane. Ndër to, nënshkrimi dhe ratifikimi i marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje duhet të trajtohen me prioritet nga qeveria dhe kuvendi i ri. Kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera”.
Këto deklarata u bënë gjatë debatit për Kosovën në Parlamentin Evropian, në prag të votimit të një rezolute që përfshin thirrjen për njohje të ndërsjellë në kuadër të dialogut me Serbinë. Rezoluta gjithashtu i bën thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë.
Autori i rezolutës është eurodeputeti Riho Terras, i cili kërkoi heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
“Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur axhendën evropiane në Kosovë. Kjo është arsyeja pse duhet t’i shfuqizojmë masat dhe ta lëmë Kosovën të përparojë me fondet që ofrojmë“, tha Terras.
Në rezolutën që pritet të votohet sot, përmendet edhe situata e sigurisë në veri të vendit, ku kërkohet që autorët e akteve të dhunshme, përfshirë sulmin në Banjskë dhe kanalin Ibër-Lepenc, të dalin para drejtësisë. Po ashtu, shprehet keqardhje që Serbia ende nuk ka ndjekur penalisht përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë, përfshirë Millan Radoiçiqin.