Kryediplomatja e BE’së do “zjarr të ri” në dialog derisa po i kërkon gabimet që janë bërë në të kaluarën

Kaja Kallas erdhi për herë të parë në rajon që kur u vu në krye të diplomacisë së Bashkimit Europian me paralajmërimet për të rilindur apo për të hedhur një zjarr të ri në procesin e dialogut Kosovë-Serbi në njërën anë dhe për të shuar tensionet në Bosnjë e Hercegovinë në anën tjetër. Prishtinën dhe Beogradin Kallas s’i vizitoi meqë nikoqirët e njërës palë janë të zënë më krijim të institucioneve, ndërsa të palës tjetër me përpjekjet e tyre për të mbajtur institucionet. Sidoqoftë, pyetjeve për konfliktin mes dy fqinjëve nuk iu shpëtoi.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, nisi vizitën e saj më 7 prill në Mal të Zi, Shqipëri dhe në fund në Bosnjë e Hercegovinë. Në dy vendet e para, Kallas dha lëvdata për progresin e tyre drejt BE-së, ndërsa në të tretin shkoi për të dëshmuar se BE mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit të këtij vendi derisa përballet me veprimet destabilizuese të Milorad Dodikut.
Kjo ishte vizita e saj e parë në rajon dhe megjithëse përpara ka një detyrë të vështirë për të rikthyer procesin thuajse të ngrirë të të dialogut Kosovë-Serbi, këto dy vende s’i vizitoi.
Bashkëpunëtorët e saj thanë se kjo ndodhi për arsye të kohës ndërsa paralajmëuran se dhe në Kosovë e Serbo do të vijë shpejt.
Kosova është në fazën e ndërtimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndërsa Serbia ende s’është rehatuar nga protestat masive që shpërthyen për incidentin fatal të Novi Sadit.
Sidoqoftë, Kallas në Mal të Zi dha paralajmërimin se do t’i vendosë “zjarr të ri” dialogut Kosovë-Serbi pasi u pyet atje për këtë proces nga gazetarët.
Takimin e paralajmëruar për mars me emisarin e dialogut, Peter Sorensen, Kallas njoftoi se e kishte zhvendosur për këtë muaj.
“Ky është një proces në vazhdim, ne kemi Përfaqësuesin e ri Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe do të ulemi me të edhe për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Ajo që është e rëndësishme për ne është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse pa këtë asnjëra prej tyre nuk mund të vazhdojë në rrugën e tyre europiane. Pra, ajo që po bëjmë gjatë këtij muaji është që të ulemi me Përfaqësuesin Special për të parë realisht se cilat janë gabimet në rrugë, çfarë funksionon, çfarë nuk funksionon, për t’i vënë një zjarr të ri këtij procesi të normalizimit të marrëdhënieve të dy vendeve”, tha Kallas.
Ndonëse u prit që në Tiranë të merrte më shumë pyetje rreth procesit dialogues të Kosovës, Kallas aty s’mori asnjë pyetje rreth kësaj teme.
Por, gjatë fjalimit në një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Kallas sërish e potencoi se sa e rëndësishme është për Kosovën dhe Serbinë të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre.
Ndërkaq, Ramën e falënderoi për këshillat e dhëna në këtë drejtim.
“Së fundi, diskutuam edhe për zhvillimet rajonale dhe vlerësoj shumë këshillat dhe komentet tuaja për situatën në Ballkanin Perëndimor. Mendoj se ajo që është e rëndësishme kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, [është se] nuk mund të ketë përparim pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes këtyre dyve. Natyrisht, do të shkoj edhe në Bosnje dhe Hercegovinë më vonë sot, për t’u takuar me ta në përpjekje për të qetësuar situatën”, tha dje Kallas në Tiranë.
Në fillim të këtij muaji, Kallas, e cila kritikoi palët për vetëm akuza ndaj njëra-tjetrës dhe ngecje “pak” të dialogut, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë përmendi edhe një “instrument tjetër” përveç dialogut për të arritur qëllimin për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ajo që na intereson është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qoftë përmes këtij dialogu, apo ndonjë instrumenti tjetër, ne do të mbledhim ide dhe do të dalim me një propozim”, tha Kallas.
E pyetur sërish mbi këtë instrument, Kallas s’tregoi se çfarë mund të jetë konkretisht.
“Duket se dialogu ka ngecur pak, sepse palët vetëm po ankohen për njëra-tjetrën. Mendoj se duhet ta mbajmë qëllimin përfundimtar në mendje – normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, në mënyrë që të mund të ecin përpara në rrugën europiane. Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”, kishte thënë ajo më 2 prill.
Mesazhet e Kallas për vendet e rajonit
Shefja e diplomacisë së BE-së shprehi optimizmin se dyert e Unionit janë të hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shqiptarët, që janë mprehur të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian më 2030 – Kallas nuk ia zbehu shpresat.
Ajo tha se anëtarësimi i Shqipërisë në bllok deri në vitin 2030 mund të jetë një objektiv realist, por se duhen bërë detyrat e shtëpisë nga shteti shqiptar.
“2030, a është një objektiv realist? Është nëse të gjithë bëjmë hapat në rrugën që duhet të bëjmë. Shqipëria me reformat, por jo vetëm reformat që duhen miratuar, por edhe reformat që duhen zbatuar dhe sundimi i ligjit është jashtëzakonisht i rëndësishëm…Është realiste nëse të gjithë bëjmë detyrat e shtëpisë”, tha Kallas.
Në Podgoricë, Kallas tha se Mali i Zi është një partner shumë i vlerësuar i BE-së dhe “kjo është arsyeja pse ne fillojmë [vizitën] nga Mali i Zi sepse ju keni bërë zhvillime kaq të mira në rrugën tuaj të anëtarësimit europian dhe këto takime më japin mundësinë të riafirmoj mbështetjen tonë për rrugëtimin e Malit të Zi drejt Bashkimit Europian”, tha Kallas, duke shtuar se duhet mbahet fokusi te reformat sepse “ka ende shumë për të bërë”.
“Dhe mund t’ju siguroj se ne jemi pranë jush në çdo hap”.
Në Sarajevë, Kallas në Kampin Butmir para ushtarëve të EUFOR-it, tha se udhëheqësia e Republikës Srpska po minon rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnje e Hercegovinës dhe paralajmëroi se BE s’do t’i tolerojë ato.
“Këto veprime bien ndesh me angazhimet që Bosnja dhe Hercegovina ka marrë në rrugën e saj drejt BE-së. Ne nuk do të tolerojmë asnjë kërcënim ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës. Çdo përpjekje për të shkatërruar vendin është e papranueshme”.
Ndërsa, pas takimit me liderët e institucioneve, Kallas siguroi boshnjakët se dyert e BE-së i kanë të hapura.
“Dyert për në Bashkimin Europian janë të hapura gjerësisht, por ju duhet të ndërmerrni hapat e duhur për të kapërcyer pragun”.