Lajme

Kryeministri i Malit të Zi kërkon heqjen e shtetësisë për biznesmenin kosovar

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiqç, ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviç, që urgjentisht të nisë procedurën për heqjen e shtetësisë për biznesmenin nga Kosova, Naser Ramaj, i akuzuar për evazion fiskal.

Ky lajm është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga qeveria e Malit të Zi.

Qeveria e ish-kryeministrit, Dritan Abazoviç, ia kishte dhënë Ramajt shtetësinë e nderit në vitin 2023, me arsyetimin se ai ishte një nga investitorët e kompleksit “Porto Budva” me vlerë prej 80 milionë eurosh.

Prokuroria e akuzon atë dhe Valentinë Gruboviçin se, si përgjegjës në kompaninë “Alart Centar Budva”, nuk kanë raportuar të ardhurat nga shitja e hapësirave të banimit dhe biznesit pikërisht në këtë kompleks.

Prokuroria njoftoi para tre ditësh se Gjykata Themelore në Kotor kishte konfirmuar aktakuzën.

“Dhënia e shtetësisë një personi që është nën hetim për shmangie taksash dhe mashtrime financiare mund të dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi, veçanërisht në sytë e partnerëve nga Bashkimi Evropian, gjë që mund të ndikojë negativisht në investimet e ardhshme dhe në pozicionin negociues në procesin e integrimit evropian”, theksoi Spajiq në një shkresë dërguar ministrit të Policisë.

Shtetësia e nderit në Mal të Zi jepet ekskluzivisht në bazë të propozimit të zyrtarëve më të lartë shtetërorë.

Në rastin e Ramajt, propozimi kishte ardhur në vitin 2023 nga kryeministër i atëhershëm, Dritan Abazoviç.

Ligji për shtetësinë malazeze parasheh që një person mund ta fitojë atë nëse pranimi i tij ka “rëndësi të veçantë për interesin shtetëror, shkencor, ekonomik, kulturor, sportiv dhe interes të tjera të Malit të Zi”.

Për Ramajn, arsyetimi ishte se investimet e tij do të kontribuonin në hapjen e vendeve të reja të punës dhe do të ndikonin në “zhvillimin ekonomik, financiar dhe industrial të Malit të Zi”.

Vendimi shoqërohej me një mendim pozitiv nga Ministria e Financave.

E gjithë procedura përfundoi brenda dy muajsh.

Megjithatë, kryeministri aktual ka shprehur “dyshime serioze” në ligjshmërinë e fitimit të shtetësisë së nderit, duke theksuar se mendimi pozitiv i Ministrisë së Financave nuk ishte shoqëruar me analiza të veprimtarisë së tij afariste në Mal të Zi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button