Lajme

Kujtim Munishi caktohet Koordinator Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot takimin e radhës, ku është bërë shqyrtimi dhe miratimi i 16 pikave, që përfshijnë çështje të rëndësishme për sistemin prokurorial.

Në mesin e tyre, ishte caktimi i Prokurorit të Shtetit, Kujtim Munishi si koordinator kombëtar për luftimin e krimit ekonomik.

“Këshilli miratoi Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për themelimin dhe funksionalizmin e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik dhe caktoi prokurorin Kujtim Munishi në detyrën e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, me mandat trevjeçar me mundësi vazhdimi edhe për një mandat tjetër;

Këto janë të gjitha vendimet që mori sot KPK:

Mbahet takimi i 266-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 30 prill 2025 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Ardian Hajdaraj, ka mbajtur sot takimin e 266-të me radhë, në të cilin janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë çështjesh të rëndësishme për funksionimin dhe zhvillimin e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij takimi, Këshilli:

    1. Miratoi Planin Strategjik të Sistemit Prokurorial për vitet 2025–2027 dhe formoi Grupin për monitorimin e zbatimit të Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit;
    2. Miratoi ndryshimet dhe plotësimet në Strategjinë për Krimet e Luftës;
    3. Miratoi Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr. 02/2021 për transferimin dhe avancimin e prokurorëve të shtetit;
    4. Miratoi Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për themelimin dhe funksionalizmin e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik dhe caktoi prokurorin Kujtim Munishi në detyrën e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, me mandat trevjeçar me mundësi vazhdimi edhe për një mandat tjetër;
    5. Miratoi Raportin e Komisionit për Transferim dhe Avancim për avancimin e një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe avancoi prokuroren Albana Parduzi në këtë departament;
    6. Miratoi Raportin e Komisionit për Transferim dhe Avancim për avancimin e një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe refuzoi kundërshtimin përkatës ndaj këtij raporti, si dhe avancoi prokurorin Atnor Skoro në këtë departament;
    7. Shpalli konkursin publik për rekrutimin e njëzet e një (21) kandidatëve për prokurorë të shtetit në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, konkurs ky, i cili do të jetë i hapur nga 19 maji deri më 1 qershor, si dhe formoi Komisionin për rekrutimin e prokurorëve të rinj të shtetit dhe Komisionin për rishqyrtim;
    8. Aprovoi kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për shpallje të brendshme për transferim të dy (2) prokurorëve nga prokuroritë e vendit në Departamentin për të Mitur të kësaj prokurorie;
    9. Njoftoi për arritjen e moshës së pensionimit të prokurores Huma Jetishi në Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe vendosi të dërgojë kërkesën tek Presidentja për lirimin e saj nga detyra;
    10. Aprovoi formularin për hartimin e ankesave për shkeljet disiplinore të prokurorëve të shtetit;
    11. Miratoi Raportin përfundimtar KVPP/403/2025 për vlerësimin e performancës së pesë (5) prokurorëve me mandat fillestar dhe propozoi riemërimin e tyre, duke vendosur për dërgimin e propozimit te Presidentja për dekretim me mandat të përhershëm;
    12. Miratoi Raportin përfundimtar KVPP/404/2025 për vlerësimin e performancës së gjashtë (6) prokurorëve me mandat të përhershëm;
    13. Refuzoi kërkesën e Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë për fillimin e hetimeve ndaj një prokurori në rastin AD. nr. 5/25 dhe aprovoi kërkesën për fillimin e hetimeve ndaj një prokurori në rastin AD. nr. 6/25, si dhe themeloi panelin hetimor përkatës për rastin e fundit;
    14. Aprovoi kërkesën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për vazhdimin e transferimit të përkohshëm të dy prokurorëve për një afat prej gjashtë (6) muajsh;
    15. Miratoi Raportin e Grupit Punues për zbatimin e vendimit DPSKPK Nr. 199/2025, të datës 1 prill 2025;
    16. Aprovoi kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit për ligjërim jashtë orarit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button