LDK përkujton zgjedhjet e 24 majit 1992: Rugova, arkitekti i shtetësisë së Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkujtuar sot një nga momentet më të rëndësishme në historinë politike të vendit — zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura më 24 maj 1992.
Në këtë ditë historike, në një kohë të trazuar për Kosovën, qytetarët votuan për herë të parë në mënyrë demokratike, duke shënuar një hap të madh drejt shtetësisë dhe lirisë.
Në postimin përkujtimor, LDK vlerëson se këto zgjedhje ishin themeli i rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë dhe demokracisë, ndërsa theksoi rolin historik të presidentit të parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili u zgjodh në këtë ditë.
“Me vizionin dhe përkushtimin e tij, Dr. Rugova u bë udhërrëfyes i popullit në periudhën më të vështirë të historisë sonë moderne. Ai ishte dhe mbetet arkitekt i shtetësisë së Kosovës”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
Në këtë Ditë të presidentit, LDK nderon veprën dhe trashëgiminë politike të Rugovës, duke e cilësuar atë si figurë të pazëvendësueshme dhe prijës shpirtëror të Kosovës drejt lirisë dhe njohjes ndërkombëtare.