Lajme

LDK refuzon të votojë Haxhiun, Bajrami: VV është përgjegjësja për bllokadën në Kuvend

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se është fajtore për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se kjo parti nuk i ka votat për ta zgjedhur kryetaren e Kuvendit, por njëkohësisht refuzon të ndryshojë emrin e Albulena Haxhiut, e cila është e papranueshme për partitë e tjera politike.

“Bllokuese është Lëvizja Vetëvendosje, e cila edhe pse nuk i ka votat për të zgjedhur kryetare Kuvendi, as nuk e ndërron emrin e Albulena Haxhiut, e cila është e papranueshme për partitë politike që ta votojnë,” tha Bajrami.

Ajo po ashtu kritikoi mënyrën e menaxhimit të seancës së fundit, duke deklaruar se rregullorja e Kuvendit është shkelur sërish.

Sipas saj, nuk mund të kërkohet marrëveshje politike kur nga njëra anë VV refuzon të ndryshojë kandidatin, e nga ana tjetër kërkon që deputetët ta votojnë sipas dëshirës së saj.

“Kërkesa për marrëveshje politike… kur tha apriori nuk e ndërrojmë emrin e kandidatit… në anën tjetër kërkojnë nga deputetët të votojnë sipas vullnetit të VV-së, kjo veç vullnet për marrëveshje politike nuk është,” shtoi ajo.

Duke komentuar deklaratat e ministrit në detyrë, Hekuran Murati, Bajrami tha se rasti nuk është i njëjtë me legjislaturat e kaluara, pasi atëherë koalicionet kishin shumicën për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

“Për Muratin: në rastet e kaluara koalicionet kanë pasur shumicën dhe kanë votuar kryetar Kuvendi. Por, tash nuk është rasti tani,” tha ajo.

Bajrami ritheksoi se LDK nuk do të japë votë as për Albulena Haxhiun dhe as për ndonjë kandidat tjetër nga Vetëvendosje.

“Ne si LDK nuk kemi votë as për zonjën Haxhiu as për një kandidat tjetër,” deklaroi Bajrami.

Sipas saj, përgjegjësia për të gjetur një zgjidhje i takon partisë fituese, e cila duhet të dialogojë me partitë e tjera.

“Përgjegjësia në këtë rast është e partisë fituese, ata duhet të ulen me partitë tjera. AAK i ka të pranueshme dy emra – dhe ashtu e dëgjuat Muratin që nuk heqin dorë nga Haxhiu,” u shpreh ajo.

Në fund, Bajrami tha prerë: “Këta s’po folin për asnjë marrëveshje, bllokuesit e vërtetë janë VV.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button