Lajme

Lirimi i serbëve të arrestuar me pompozitet në Prizren – Prokuroria mohon provat, Haxhiu s’jep fakte por thotë se ka

Më 5 dhe 6 prill, në Prizren dhe Gjakovë, policia ka arrestuar 16 qytetarë serbë, një operacion që u lajmërua me pompozitet nga Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ata thanë se disa nga të arrestuarit kishin lidhje me sulmin në Banjskë.

Megjithatë, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka bërë të ditur se dy nga serbët që ishin mbajtur në ndalim janë lëshuar, pasi nuk ka pasur prova të mjaftueshme për kërkesën e masës së paraburgimit.

“Aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar si standard ligjor për të justifikuar kërkesën për paraburgim”, tha Prokuroria, duke theksuar se ky vendim erdhi pas analizës së provave pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë.

Nga ana tjetër, Ministrja Haxhiu ka insistuar se kishte prova për lidhjet e të arrestuarve me shërbimet e sigurisë serbe dhe organizatorët e sulmit në Banjskë, por pa ofruar asnjë fakt konkret.

Ajo tha se ishte shqetësuese lejimi i lirimit të këtyre personave dhe hodhi poshtë aksionet e institucioneve të sigurisë, duke e quajtur “pa peshë” forcën e ligjit dhe drejtësisë.

“Në grupin 12 serbëve të arrestuar në Prizren, kishte persona aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe. Të arrestuarit në Gjakovë e Prizren kishin lidhje të forta edhe me organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit në Banjskë. Në Prizren 10 prej 12 u liruan që atë ditë sepse nuk kishte kërkesë për paraburgim, ndërkohë sot qenkan liruar edhe dy. Pra, pavarësisht provave të bollshme për t’i dërguar në paraburgim dhe hetim të mëtutjeshëm.

Është vërtetë shqetësuese lehtësia e lirimit të këtyre personave dhe hudhja poshtë e aksioneve policore dhe institucioneve tjera të sigurisë të cilët kapën me fakte e dëshmi këto dy grupe. Po harxhojnë aq shumë resurse e kohë institucionet e sigurisë si dhe po rrezikohen punonjësit e këtyre, e në fund të arrestuarit lirohen?! Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë foca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë“, ka shkruar ministrja në Facebook.

Këtë deklaratë e shpërndau edhe ministri Sveçla, duke shtuar se nuk di se cila forcë tjetër mund t’i ketë liruar këta persona, duke nënkuptuar se organet e drejtësisë nuk kanë vepruar siç duhej.

Prokuroria ka theksuar se për të kërkuar caktimin e paraburgimit, duhet të paraqiten prova të mjaftueshme, dhe se këto procese janë gjithashtu të monitoruara nga faktorë ndërkombëtarë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button