Lajme

Mamushë: 53-vjeçari pëson lëndime të rënda në vendin e punës, këput këmbën derisa po punonte me makineri

Rastet kur persona të ndryshëm kërkojnë ndihmë në institucionet mjekësore për shkak të lëndimeve që pësojnë në vendet e tyre të punës nuk janë të rralla.

Ato shpesh herë ndodhin si pasojë e kushteve të këqija që ofrojnë kompanitë, por me raste janë edhe aksidentale.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në fabrikën e bllokave “Tek-Odak” në Mamushë, ku një punëtor turk (rreth 53-vjeçar) ka pësuar lëndime të rënda, duke këputur këmbën e djathtë gjatë punës me makineritë e fabrikës.

Me të marrë lajmin, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Ndërkaq, kolegët e viktimës kanë treguar se pas aksidentit e kanë dërguar të lënduarin në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim të menjëhershëm.

Si pasojë e lëndimeve të rënda, viktima i është nënshtruar një operacioni.

Në lidhje me rastin është informuar Komandanti i Stacionit dhe Shefi i Hetimeve, të cilët kanë dalë në vendngjarje për të kryer hetime të mëtejshme.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar në lidhje me detajet tjera të këtij rasti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button